Fituesi rus i Çmimit Nobel nxjerr në ankand medaljen!
Gazeta e pavarur ruse “Novaya Gaze” do të nxjerrë në ankand medaljen e Çmimit Nobel për Paqen të fituar nga kryeredaktori i saj, Dmitry Muratov, në ndihmë të refugjatëve ukrainas.
Në një deklaratë të publikuar të martën në faqen e gazetës në internet, Muratov u shpreh se fëmijët e plagosur dhe të sëmurë që kërkonin “trajtim urgjent” e detyruan atë të ofronte medaljen prestigjioze, shkruan CNN, përcjell rtv21.tv
Muratov, bashkëthemeluesi i Novaya Gazeta, e ka fituar Çmimin Nobel për Paqen tetorin e kaluar për për betejën e tij që të ruajë të vërtetën si gazetar.
Kryeredaktori në deklaratë theksoi nevojën urgjente për një armëpushim, shkëmbim të të burgosurve dhe sigurimin e korridoreve humanitare.
Të ardhurat nga shitja e medaljes do të shkojnë për Fondacionin e Ndihmës për Refugjatët ukrainas, një organizatë joqeveritare që përpiqet të “sigurojë mbështetje morale dhe materiale për refugjatët nga Ukraina”.
Më shumë se 3.5 milionë refugjatë kanë ikur tani nga Ukraina, sipas përditësimit të fundit nga Agjencia e OKB-së për Refugjatët./21Media