Rreth 18,500 rusë u vranë në luftime, thotë Ukraina
Rreth 18,500 anëtarë të forcave ruse janë vrarë në luftime që nga fillimi i luftës, thanë zyrtarët ukrainas.
Kështu informoi sot Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës në një postim në Facebook, me ç’rast bëri të ditur se humbjet e tjera ruse që nga 24 shkurti përfshijnë 676 tanke, 1,858 automjete të blinduara, 150 avionë luftarakë dhe 134 helikopterë.
Ministria ruse e mbrojtjes nuk i ka publikuar shifrat e veta që nga 25 marsi, kur ka potencuar se gjithsej 1,351 ushtarakë rusë janë vrarë dhe 3,825 janë plagosur.
BBC raporton se nuk mund t’i verifikojë këto shifra.
Më 21 mars, gazeta pro-Kremlinit, Komsomolskaya Pravda ka botuar një artikull, duke cituar ministrinë të thoshte se 9,861 ushtarakë rusë kishin vdekur – një shifër që tejkalon edhe vlerësimet e inteligjencës amerikane për viktimat ruse.
Postimi është fshirë me shpejtësi dhe redaktori i ka thënë BBC-së se numrat ishin publikuar si rezultat i një hakimi./21Media