23 vjet nga rënia e Agim Ramadanit
Sot bëhen 23 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës ishte dëshmuar si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.
Ai ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e ka bërë bashkë me shokët.
Agim Ramadani, i lindur në Zhegër të Gjilanit, më 3 maj 1963, shkollimin fillor e kishte kryer në vendlindje, të mesmen në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë ushtarake-drejtimi i komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.
Me poezi dhe pikturë ishte marrë që nga shkollimi i mesëm. Përderisa poezitë e tij, sa ishte gjallë i kishin mbetur të shpërndara nëpër revista të ndryshme e në dorëshkrim, si piktor kishte organizuar ekspozita kolektive e personale në Kroaci, ku kishte punuar si ushtarak e në Zvicër, ku kishte jetuar si emigrant politik. Meqë, me fillimin e luftës në Kroaci, ai kishte braktisur ish-Armatën Jugosllave ku kishte punuar si oficer. Në vitin 1998 ishte pranuar anëtar nderi në Akademinë Evropiane të Arteve.
Ndonëse kishte të rregulluar statusin e emigrantit, Agim Ramadani në vitin 1998 i ishte përgjigjur thirrjes së atdheut dhe ishte inkuadruar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë në Zvicër tre fëmijë dhe gruan.
Gjatë luftës ishte dëshmuar si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe ishte i pari që kishte shkulur gurin-piramidën-kufitare në Koshare. Pas thyerjes së kufirit, në pjesën e Kosovës, te vendi i quajtur Rrasa e Zogut, ai kishte rënë heroikisht duke mos vdekur kurrë. Agim Ramadani njihet me emrin konspirativ-Katana.
Agim Ramadani llogaritet si një nga heronjtë më të njohur të historisë së re shqiptare. Në Gjilan para Teatrit Kombëtar i është ngritur një shtatore, në të cilën janë komponuar të gjitha elementet artistike dhe luftarake të Agim Ramadanit – Katanës. Është përfaqësuar në disa leksikone dhe antologji të shkrimtarëve shqiptarë, të botuara pas vitit 2000. Agimi ka lënë pas vetes tre pasardhës, djemtë Jetonin dhe Edonin, si dhe vajzën Lorinën.