Kosova me 4 ekipe në Evropë, kampioni direkt në fazën e parë kualifikuese në Ligën e Kampionëve

Tani në fazën përfundimtare të garave të edicionit 2021/22 dhe në periudhën kur do të përcaktohen klubet që do ta përfaqësojnë Kosovën në garat evropiane, është konfirmuar edhe një lajm i mirë për futbollin tonë.
Siç u pa në ranglistën e fundit të UEFA-s, për renditjen e ligave kombëtare, Superliga e Kosovës ka shënuar përparimin e radhës, e në bazë të këtij progresi është konfirmuar lajmi, të cilin Federata e Futbollit të Kosovës e ka dhënë edhe para fillimit të garave, se nga ky edicion, Kosova do të përfaqësohet me 4 klube në garat evropiane, 3 nga kampionati dhe fituesi i kupës.
Mirëpo, risia tjetër është se si rezultat i ngritjes së rangimit të ligës, kampioni i Kosovës nga ky edicion nuk do të garojë më në rundin parakualifikues, por do të shkojë direkt në rundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
“Përparimi i ligës, përfaqësimi me më shumë klube në garat evropiane dhe rritja e cilësisë në kuadër të garimit të brendshëm, është një tjetër dëshmi se futbolli i Kosovës po shënon rritje në çdo aspekt, e që është edhe mision kryesor i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe presidentit Agim Ademi”, thuhet në njoftimin e FFK-së./21Media

Back to top button