Molliqaj për Berishajn: Miqësi me Kurtin, biznes me mafian serbe
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar kundër ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt, i cili po akuzohet se është i përfshirë në një skandal financiar për shpëlarje parash në Slloveni.
Molliqaj përmes një postimi në ”Facebook”, ka thënë se Berishaj ka miqësi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa bën biznes me mafian serbe.
”Miqësi me Kurtin, biznes me mafian serbe. Pjesë e gardës së parë në frymën e instalimit të VV-së në institucione, anëtar në Këshillin Drejtues të VV-së (nga 2016), ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj i famshëm si mik politik dhe personal me Kryeministrin dhe Kryeparlamentarin, doli të jetë i përfshirë me mafian serbe të energjetikës në formacione për shpërlarje parash.
Pavarësisht epilogut të “rastit Berishaj”, në rrafshin ligjor, janë disa të vërteta që na paraqiten si probleme”, ka shkruar Molliqaj.
Ky i fundit ka theksuar se rolin si ambasador në Kroaci si dhe afërsia që Martin Berishaj ka me krerët e shtetit e ndërlikojnë situatën.
”Kjo më nuk mund të jetë vetëm shkelje apo problem individual i një qytetari. Duke qenë i veshur me pushtet të tillë bëhet problem i Kosovës. Hija e dyshimit mbulon edhe mbi vendin tonë, sferën politike dhe partinë në pushtet. Në anën tjetër, reagimi i presidentës, rëndom në sulm ndaj mediave, tregon për mbrojtjen e “njerëzve të tyre” pavarësisht fakteve. Presidentja nuk ka dyshim, kryeministri nuk ka reagim. Por përgjegjësi ka secili”, ka shkruar tutje ai./21Media