Policia e Kosovës arreston shqiptarin që kërkohej edhe në Itali për drogë
Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas të Shqipërisë, për posedim të substancave narkotike të llojit marihuanë.
Operacioni policor “Rufeja” është zhvilluar në Prishtinë, në orët e mbrëmjes së të enjtes.
Bazuar në urdhëresën e organeve të drejtësisë operacioni policor ka vazhduar me kontrollimin e lokacionit ku i dyshuari banonte, me ç‘rast janë konfiskuar një valixhe me 31 paketime substancë narkotike, një qese e najlonit me substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë, ku pesha totale kishte arritur rreth 16.780 kg, si dhe janë konfiskuar 100 euro para kesh, 2 telefona celularë, 2 pasaporta të Shqipërisë, 1 letërnjoftim i Kosovës, 2 patentë shoferë, njëri i Shqipërisë dhe tjetri i Italisë.
Policia e Kosovës ka siguruar informacione se personi i dyshuar tani më i arrestuar, dyshohet se është i kërkuar edhe nga autoritetet e Shqipërisë dhe Italisë.
Me aktvendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes, për përfshirje në veprën penale “Blerja, posedimi, shitja ose shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”./21Media