QUINT-i thirrje Qeverisë: Zbatoni vendimin e Kushtetueses për tokën e Manastirit të Deçanit
Shefat e misioneve të shteteve të QUINT-it në Kosovë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit.
Sipas tyre, zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike.
“Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Përkundër këtij vendimi të ligjshëm dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar”, thuhet në deklaratën e QUINT-it.
“Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të bashkuar në mbështetjen e tyre për të ardhmen demokratike dhe evropiane të Kosovës. Prandaj, sërish i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit”, thuhet tutje në deklaratë.
Në muajin shkurt të këtij viti, kryeministri Albin Kurti ka thënë se si Qeveri do të angazhohen maksimalisht që të ruhen të drejtat legjitime të Manastirit të Deçanit. Ai ka kërkuar edhe nga liderët fetarë të Manastirit ta bëjnë pjesën e tyre duke kërkuar zgjidhje nëpërmjet dialogut e marrëveshjeve me popullatën lokale dhe ai beson se që një gjë e tillë është e mundur.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2016 i njeh Manastirit të drejtën e pronës mbi 23 hektarë tokë./21Media