Lufta në Ukrainë mund të zgjasë me vite, paralajmëron shefi i NATO-s
Perëndimi duhet të përgatitet që të vazhdojë ta përkrahë Ukrainën në një luftë që mund të zgjasë me vjet, ka paralajmëruar sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Stoltenberg ka thënë se kostoja e luftës është shumë e lartë, por do të ishte shumë më i lartë dëmi nëse lejohet Moska që t’i arrijë synimet ushtarake.
Komentet e tij erdhën pasi kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson paralajmëroi gjithashtu për nevojën për t’u përgatitur për një konflikt afatgjatë, shkruan BBC.
Stoltenberg dhe Johnson thanë se dërgimi i më shumë armëve do ta bënte një fitore më të mundshme për Ukrainën.
“Ne duhet të përgatitemi për faktin se mund të duhen vite. Ne nuk duhet të heqim dorë nga mbështetja e Ukrainës. Edhe nëse kostot janë të larta, jo vetëm për mbështetjen ushtarake, por edhe për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve”, tha shefi i NATO-s në një intervistë me gazetën gjermane Bild./21Media