Abdixhiku: Qytetarët ta dëgjojnë nga Kurti se a po legalizohet ndikimi i Serbisë në Kosovë
Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku i ka reaguar dakordimit të udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjeve energjetike për veriun sot në Bruksel ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Abdixhiku përkujtoi se Qeveria Kurti ka nënshkruar sot atë të cilën kryeministri i tanishëm në kohën e arritjes së marrëveshjes (2013-2015), e kishte cilësuar si marrëveshje që legalizojnë ndikimin e Serbisë në Kosovë.
“Qeveria e Kryeministrit Kurti sot nënshkroi udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve energjetike për veriun e vendit. Ky udhërrëfyes përcakton implementimin e dy marrëveshjeve paraprake, të viteve 2013 e 2015 – të cilat Kosova asokohe i kishte lidhur me qëllim të ushtrimit të sovranitetit shtetar në gjithë territorin e vet. Por, Kryeministri Kurti në kohën kur ishin arritur këto dy marrëveshje, i kishte cilësuar si marrëveshje që legalizojnë ndikimin e Serbisë në Kosovë. Sot, qytetarët e Kosovës, duhet ta dëgjojnë nga vet ai, nëse këto dy marrëveshje, të pranuara pa asnjë ndryshim e të proklamuara me plot meritë, do ta legalizojnë apo jo ndikimin e Serbisë në Kosovë. LDK ka mbështetur në vijimësi dhe me konsistencë – dje dhe sot – marrëveshjet në interes të Kosovës, që kanë synuar ushtrimin e plotë të sovranitetit të Republikës së Kosovës në tërë territorin e saj”, ka shkruar Abixhiku./21Media