Dy seanca plenare këtë javë

Kuvendi i Kosovës do të mbajë dy seanca plenare gjatë kësaj jave.
Seanca e parë do të mbahet të enjten në orën 10:00, ku në rend dite do të jetë shqyrtimi në lexim të dytë të rregullores së re të Kuvendit të Kosovës dhe projektligji për financimin e partive politike.
Mimoza Kusari – Lila, shefe e Grupit Parlametar të Lëvizjes Vetëvendosje, bëri të ditur se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit janë marrë vesh që në mesin e pikave, të shqyrtohet në lexim të dytë projektligji për financimin e partive politike, si dhe rregullimi i çmimeve të produkteve medicinale.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, tha projektligji për rregullimin e çmimeve është iniciativë e tyre.
Sipas saj, PDK synon ta rregullojë çmimin e barnave, që qytetarët të mos paguajnë çmime të ndryshme për barnat e njëjta.
Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, deklaroi se kanë kërkuar interpelancë për ligjin e pagave dhe për ligjin për zyrtarët publikë.
Të premten në seancë do të trajtohen pikat e papërfunduara, mes tyre edhe debati parlamentar për liberalizimin e vizave./21Media

Back to top button