Gega: I tregova Evropës se edhe ne mund t’ia dalim me punë e sakrificë
“Ndoshta jam lodhur shumë për të qenë këtu ku jam sot. Kam shumë vite që sakrifikoj që të jem këtu, jo me detyrim, por dëshirë. Zgjodha të përfaqësoj veten time dhe flamurin tim çdo ditë e sa më denjësisht. Sot jam më krenare se kurrë, kjo është arsyeja pse derdha lot në vijën e finishit. Mu kthye koha mbrapsht, mundi e sakrifica dhe më në fund i tregova Evropës se edhe ne mund t’ia dalim, edhe pse jemi vend i vogël por nëse mund të punojmë fort, nëse e duam këtë vend dhe ne mund t’ia dalim”. Këto janë fjalët e para të kampiones së Evropës, Luiza Gega e cila solli në Shqipëri Medaljen e Arit në garën e 3000 metrave me pengesa nga “Evropiani i Atletikës Mynih 2022”.
Gega pranon se gjërat vitet e fundit kanë ndryshuar, “qoftë dhe ligji për sportin për shpërblimet më kanë dhënë dhe një shtysë”. Ajo beson se shumë të rinj mund t’ia dalin nëse punojnë fort.
“Jam e lumtur që ia dola. Uroj që edhe të rinjtë shqiptarë të motivohen që edhe ato mund t’ia dalin, të punojnë fort dhe të bëjnë krenar veten dhe kushdo që e do këtë vend dhe sportin”, tha ajo.
Gega pati një falenderim të madh për trajnerin Taulant Stermasi.
“E vetme nuk do ia kisha dalë kurrë pa mbështetjen e trajnerit. Kemi kaq vite që punojmë dhe ka pasur më besim tek unë se ç’kam unë tek vetja dhe çdo fjalë e tij i ka dalë. Faleminderit pa masë”, përfundoi ajo./oranews