Haraçina 30 orë pa rrymë
Dy ditë e gjithë Haraçina me fshatrat Orllancë dhe Mojancë janë pa energji elektrike. Kryetari i Komunës, Ridvan Ibraimi tha se sipas informacioneve të tij bëhet fjalë për defekt teknik i cili nuk po sanohet me shpejtësinë e duhur.
Se 80% e Haraçinës nuk ka rrymë, e konfirmojnë edhe nga EVN Home. Thonë se mëngjesin e së hënës në komunën e Haraçinës ka ndodhur defekt i madh si pasojë e mbingarkesës së madhe të trafostacioneve për shkak të shfrytëzimit të vazhdueshëm ilegal të energjisë elektrike nga ana e banorëve.
“Në Haraçinë ekipet tona shumë shpesh ballafaqohen me sulme verbale dhe fizike nga ana e banorëve, me çka në tërësi pamundësohet kryerja e punës. Që të punohet, patjetër duhet të krijohen kushte për funksionim normal dhe punë, si për defekte ashtu edhe për rikonstruimin dhe modernizimin e rrjetit. Përderisa nuk ekzistojnë kushte normale për punë dhe ka pengesë në kryerjen e punës, nuk do të ketë mundësi për sanim”, thonë nga EVN HOME.
Nëpërmjet Facebook-ut ka reaguar kreu i komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi. Shkruan se edhe pse nuk është kompetencë e tij, ai vazhdimisht ju ka bërë thirrje vendasve të tij që të paguajnë faturën e rrymës elektrike, ndërsa shprehet i gatshëm që t’i ndihmojë edhe EVN-së që bashkërisht të dalin në terren.
“Edhe përskaj asaj që kjo çështje nuk bie nën kompetencë të komunës së Haraçinës, ne jemi të gatshëm që, së bashku me bashkësitë lokale të vendbanimeve të komunës së Haraçinës, me përfaqësuesit e EVN-së si dhe të policisë, të dalim në teren dhe ta zgjedhim një herë e përgjithmonë problemin e instaluar – problemin e rrymës elektrike”, pohoi Ridvan Ibraimi, kryetar i Komunës së Haraçinës në Maqedoninë e Veriut.
Banorët e Haraçinës disa herë me radhë ankohen për mungesë të rrymës dhe neglizhencë në sanimin e problemit nga furnizuesi universal i energjisë EVN-Home./TV21
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?