Krasniqi takon Kovaçevskin, diskutojnë për bashkëpunimin politik e proceset integruese
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut takoi kryeministrin Dimitar Kovaçevski.
“Në vizitën zyrtare në Maqedoninë e Veriut, sot e takova edhe Kryeministrin Dimitar Kovaçevski, me të cilin diskutuam për zhvillimet aktuale politike dhe ekonomike, në rajon dhe Evropë. Kryeministrit Kovaçevski i urova 31 vjetorin e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Po ashtu e falënderova për ndihmën e vazhdueshme që Maqedonia e Veriut ka dhënë për Republikën e Kosovës”, shkroi Krasniqi.
Krasniqi tha se gjatë takimit ka theksuar se “hapja e negociatave për Maqedonisë e Veriut është lajm i mirë edhe për Kosovën, me shpresën që besimi i rivendosur në mes të BE-së dhe rajonit tonë të avancoj sa më shpejtë edhe me liberalizimin e vizave për qytetarët tanë – e drejtë kjo, e mohuar vite me radhë”.
“Kryeministri Kovaçevski më njoftoi edhe për hapat që ka marrë Maqedonia e Veriut për të përballuar krizën globale ekonomike, e cila në Kosovë po manifestohet me inflacion rekord, rritje të çmimit të energjisë dhe përkeqësim të jetës së qytetarëve tanë. Bashkë diskutuam edhe për projektet infrastrukturore, bashkëpunimin politik dhe proceset integruese. Kosova dhe Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojnë kultivimin e bashkëpunimit të shkëlqyer ndërfqinjësor dhe mirëbesimit të ndërsjellë, në rrugën e pakthyeshme të integrimit euro-atlantik”, përfundon shkrimi i Krasniqit./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?