Kurti: Kemi rritur buxhetin për arsim për 12%

Në prani të nxënësve nga Kosova, Shqipëria, Gjermania, Franca dhe Maqedonia e Veriut, dhe ligjërues nga e gjithë Evropa, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Kampit veror ndërkombëtar 2022.
“Ky kamp veror, për 83 të rinj nga 5 vende të ndryshme, është mundësuar sepse të gjithë ne që jemi sot këtu, e njohim dhe e çmojmë vlerën e një shoqërie të arsimuar mirë”, tha Kryeministri Kurti.
Ai theksoi se “të gjithë besojmë se çdo njeri duhet t’i ketë të drejtat e njëjta, ndërsa Qeveria angazhohet me punë, që në shoqërinë tonë të gjithë t’i kenë edhe mundësitë e njëjta”.
Kryeministri potencoi se për këtë synim Qeveria e Republikës së Kosovës ka rritur buxhetin për arsim për 12%.
Ka bërë arsimin publik falas për nivelin baçelor dhe master. Ka ndarë mbi 3.000 bursa për studentët e dalluar për studime brenda dhe jashtë vendit.
“Për mbyllje të hendekut gjinor, janë ndarë 1.365 bursa për vajzat dhe gratë studente të fushave STEM. 106 bursa për nxitjen e vajzave për të ndjekur profile teknike dhe nxitjen e djemve për të ndjekur profile deficitare. Janë ndarë 957 kuponë për maturantë të shkollave profesionale për të ndjekur kurse të teknologjisë së informacionit; tekste shkollore në gjuhët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në vendin tonë; 150.000 euro për bursa për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian; 3.500.000 euro për ofrimin e praktikës profesionale për nxënësit e shkollave të arsimit dhe aftësimit profesional. Për të mbyllur hendekun e shkathtësive, ka filluar pilotimi i arsimit dual në katër profile nga viti shkollor 2022/2023, për muratorë, floktarë, asistentë të hotelerisë dhe kuzhinier; Për herë të parë kemi ndarë buxhet për mësimdhënësit me probleme shëndetësore – 1.7 milionë euro, nga të cilat përfitojnë rreth 300 mësimdhënës”, thuhet në deklaratë.
Kurti tha se për herë të parë ka nisur zbatimi i skemës për mësimdhënie të bazuar në hulumtim, si formë e nxitjes së punës shkencore-hulumtuese edhe në mësimdhënie në arsimin e lartë.
Duke uruar për organizimin e këtij kampi veror dhe duke u dëshiruar mbarësi, kryeministri e përmbylli fjalimin duke theksuar se “dashuria për dijen dhe shkencën, do të thotë dashuri për njerëzimin dhe zhvillimin”./21Media

Back to top button