Interpelanca e Muratit më 7 tetor, Tahiri: Murati të jetë përgjegjës për presionin
Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancën e radhës më 7 tetor, ku në rend të ditës do të jetë interpelanca ndaj ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se ministri Murati duhet të jetë përgjegjës për presionin, siç tha ndaj nivelit lokal dhe mos ekzekutimin e pagave ndaj punëtorëve të administratës dhe grevistëve.
“Për ne roli i Qeverisë është që të ndihmojë Kosovën në situata të vështira dhe jo që me vendime arbtirate të pengoj punën e organizatave buxhetore në këtë rast të komunave, po ashtu të bëjë presion tek administrata shtetërore në forma të ndryshme”, tha Tahiri.
“Ajo që si grup parlamentar do ta ngrisim si çështje në Kuvend ka të bëjë me ligjin e miratuar në Qeveri për zyrtarë publikë. Kemi të bëjmë me një ndërhyrje flagrante qe tash e 20 vjet nuk ka ndodhur, ndërhyrje drejtpërdrejt në stafin dhe shërbimin civil, përmes cënimit të kontratave të tyre dhe përcaktimin e afateve që bie ndesh me parimet evropiane dhe gjithë punën 20 vjeçare që e kemi bërë”, shtoi ai.
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila nënvizoi sërish qëndrimin e ekzekutivit, se sipas Ligjit për Greva, punëtorët e sektorit publik nuk kompensohen për ditët që nuk kanë punuar.
Nëse sërish nuk dorëzohen listat nga agjencionet buxhetore dhe komunat, Kusari-Lila tha se duhet patjetër të gjendet një përgjigje, pasi në zingjirin institucional duhet të ketë një konfirmim për procedimin e tyre.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se nëse nuk ekzekutohen pagat deri të enjten do të ngrenë kallëzim penal ndaj ministrit Murati, për të cilin tha se është i papërgjegjshëm, arrogant dhe i padijshëm./21Media