Biden foli me Zelensky dhe premtoi sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, foli me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të hënën për të dënuar sulmet e fundit raketore të Rusisë dhe u zotua për vazhdimin e ndihmës amerikane për sigurinë, duke përfshirë sistemet e avancuara të mbrojtjes ajrore.
“Ai shprehu dënimin e tij për sulmet me raketa të Rusisë në të gjithë Ukrainën, duke përfshirë në Kiev, dhe përcolli ngushëllimet e tij për të dashurit e atyre që u vranë dhe u plagosën në këto sulme të pakuptimta. Presidenti Biden u zotua të vazhdojë t’i ofrojë Ukrainës mbështetjen e nevojshme për t’u mbrojtur, duke përfshirë sistemet e avancuara të mbrojtjes ajrore”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Njoftimi nuk dha detaje shtesë se cilat sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore u diskutuan.
“Biden nënvizoi gjithashtu angazhimin e tij të vazhdueshëm me aleatët dhe partnerët për të vazhduar imponimin e kostove ndaj Rusisë, duke e mbajtur Rusinë përgjegjëse për krimet e saj të luftës dhe mizoritë e saj dhe duke i ofruar Ukrainës ndihmë sigurie, ekonomike dhe humanitare”, thuhet tutje në njoftim.
Në një deklaratë më herët të hënën, Biden tha se vala e fundit e sulmeve ruse “demostron edhe një herë brutalitetin e plotë të luftës së paligjshme të Putin ndaj popullit ukrainas”./21Media

Back to top button