Arrestohet 47-vjeçari i shpallur në kërkim

Një 47 vjeçar, i cili ishte në kërkim u arrestua sot në Gjirokastër.
Policia informoi se ai ishte në kërkim pasi i kishte vjedhur portofolin dhe aparatin celular, punonjëses së spitalit, në ambientet e punës.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Urgjenca”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim R. B., 47 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar disa herë më parë, për vjedhje. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi në datën 15.09.2022, në ambientet e Spitalit Rajonal “Omer Nishani”, Gjirokastër, i ka vjedhur shtetases M. N. (infermiere në këtë spital), portofolin në të cilin kishte 20 000 lekë të rinj dhe aparatin celular.”, informoi Policia.
Gjithashtu, gjatë hetimeve u bë i mundur zbulimi dhe dokumentimi i një tjetër vjedhjeje të kryer nga shtetasi R. B,. sipas Policisë, më datën 14.09.2022, në ambientet e Spitalit Rajonal “Omer Nishani”, ky shtetas i ka vjedhur shtetases A. K. (mjeke në këtë spital) portofolin në të cilin kishte shumën 8000 lekë të rinj.
Matrialet në ngarkim të shtetasit R. B. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme./21Media

Back to top button