Barcelona-Bayern/Skuadra e Xavit sot mëson fatin në Ligën e Kampionëve
Barcelona nuk e ka më fatin e kualifikimit tutje në Ligën e Kampionëve në duart e saj pas barazimit 3:3 në xhiron e kaluar me Interin, por synon që të fitojë dy ndeshjet e mbetura në fazën e grupeve, duke filluar me atë të sotmen kundër Bayern Munichut.
Me fillim nga ora 21:00 Barcelona do ta presë në shtëpi, në stadiumin “Spotify Camp Nou” gjigantin gjerman, Bayern Munich, por e gjithë vëmendja do të jetë te ndeshja e Interit kundër Plzenit.
Interi do të përballet me Plzenin nga ora 18:45, kështu që Barcelona do ta mësojë sot fatin e saj në këtë garë ende pa e filluar ndeshjen kundër Bayernit.
Barça ka barazuar në xhiron e fundit me Interin me rezultat 3:3, kurse Bayerni e ka mposhtur si mysafir skuadrën e Plzenit me shifrat 4:2.
Ndërkaq, në takimin e parë të zhvilluar në muajin e kaluar, Barcelona është mposhtur nga Bayerni në Gjermani me rezultat 2:0.
Momentalisht, Bayerni zë vendin e parë në Grupin C në kuotën e 12 pikëve, krahas Barcelonës që renditet në vendin e tretë me katër pikë të arkëtuara.
Sa i përket ndeshjes së sotme, të dy skuadrat do të kenë probleme me mungesa të lojtarëve, ku për Barcelonën nuk do të paraqiten Araujo, Christensen, Depay, Roberto, ndërsa Gavi është në dyshim për shkak të një problemi në muskul, kurse te Bayerni mungojnë Hernandez, Neuer, Sane dhe Sarr.
Formacionet e mundshme të dy skuadrave i gjeni më poshtë:
Barcelona (4-3-3): Ter Stegen; Bellerin, Kounde, E Garcia, Alonso; De Jong, Busquets, Pedri; Dembele, Lewandowski, Raphinha
Bayern Munich (4-2-3-1): Ulreich; Pavard, Upamecano, De Ligt, Davies; Kimmich, Goretzka; Coman, Musiala, Gnabry; Mane