Në vitin 2022 janë dyfishuar aktivitetet ndërushtarake mes Kosovës e Shqipërisë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se në kuadër të bashkëpunimit bilateral me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, është arritur që të dyfishohet bashkëpunimi ndërushtarak.
“Viti 2022 – dyfishim i aktiviteteve ndërministrore dhe ndërushtarake në mes Kosovës dhe Shqipërisë. Në kuadër të bashkëpunimit bilateral me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, kemi arritur që të dyfishojmë bashkëpunimin ndërushtarak që ndër të tjera ka rezultuar me ndërtimin dhe zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve të para të komponentës luftarake dhe mbështetjes luftarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, shkroi Mehaj.
Mehaj ka thënë se vetëm gjatë këtij viti janë realizuar dhjetëra stërvitje të përbashkta të dy njësive.
“Vetëm këtë vit, janë realizuar me dhjetra stërvitje të përbashkëta ndërmjet njësive të forcave tokësore në nivelin taktik, prej skuadre, togu e deri te ai i kompanive për të kulmuar në proces, në të ardhmen e afërt, edhe në nivel batalioni/regjimenti. Në këto stërvitje, për herë të parë, njësitet tona u trajnuan dhe operuan në stërvitje me mortaja të kalibrave 60 mm dhe 81 mm. Pastaj stërvitjet e shumta të njësive tona të forcave speciale për operacione speciale dhe operacione të forcave komando. Krahas këtyre paralelisht janë realizuar edhe dhjetra trajnime e stërvitje të shumta për komponentet tjera të mbështetjes luftarake dhe mbështetjes luftarake me shërbime”, shkroi Mehaj në Facebook./21Media

Back to top button