Kurti në Pragë takohet me ministrin e jashtëm çek, Lipavský

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti që po ndodhet në Pragë të Çekisë për të dorëzuar aplikimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, u prit sot në një takim bilateral nga ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavský.
Siç bëhet e ditur në njoftimin për media nga Zyra e Kryeministrit, në takim u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe dhe për bashkëpunimin e afërt ndërmjet dy vendeve, veçanërisht gjatë Presidencës çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian.
“Kryeministri Kurti e falënderoi Republikën e Çekisë dhe ministrin Lipavský për mbështetjen e vazhdueshme dhe të zëshme që i kanë dhënë Kosovës në synimet e saj për integrim evropian dhe euro-atlantik.Ai veçoi rolin e rëndësishëm dhe përkushtimin e Presidencës çeke të Këshillit të BE-së në trajtimin me prioritet të çështjes së liberalizimit të vizave. Dje, Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian u dakorduan për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës më së largu me 1 janar 2024.”, thuhet në njoftim.
Po ashtu bëhet e ditur se në takim u fol edhe për bashkëpunimin rajonal, marrëveshjet që u nënshkruan në kuadër të Procesit të Berlinit dhe procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës dorëzoi sot aplikimin për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, aplikimi u pranua nga ministri i Çekisë për çështje evropiane, Mikuláš Bek.
Presidentja Osmani, Kryeparlamentari Konjufca dhe Kryeministri Kurti dje në një ceremoni nënshkruan mbi dokumentacionin e aplikimit. Ata e cilësuan si një ditë historike e hap të rëndësishëm që duhet ndërmarrë Kosova drejt integrimit të saj evropian./21Media