Kurti paralajmëron aplikimin për anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-s

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se synimi kryesor i Kosovës vitin e ardhshëm do të jetë anëtarësimi në programin e Partneritetit për Paqe të aleancës ushtarake NATO.
Në një intervistë me gazetarët të enjten nga Praga, Kurti ka thënë se është e domosdoshme që Kosova të hyjë në këtë program, duke marrë shembull se si shtete si Serbia dhe Bjellorusia janë pjesë e tij e jo Kosova.
“Tash jemi në muajin dhjetor dhe natyrisht që nuk mund të kemi aplikime të reja sivjet, por vitin e ardhshëm do të përgatitemi të integrohemi sa më shumë në organizmat ndërkombëtarë e një synim të veçantë e kemi Partneritetin për Paqe. Në programin e Partneriteti për Paqe nuk është vetëm fqinji ynë verior që ka qëndrim negativ ndaj NATO-s, por edhe Bjellorusia, e jo Republika e Kosovës. Është e domosdoshme që Kosova të hyjë në këtë program. E kemi dëshmuar me vlerat demokratike të perëndimit të zhvilluar, mbrojtjes dhe kapaciteteve ushtarake. Partneriteti për Paqe është gjëja e ardhshme e aplikimit tonë”, ka thënë Kurti.
Kreu i ekzekutivit e ka parasysh se anëtarësimi në këtë program është më i vështirë, porse zbuloi se po zhvillojnë takime me shtetet që janë vendimmarrëse në NATO.
“Sa i përket pranimit të aplikimit dhe realizimit të anëtarësimit në Partneritetin për Paqe, aty ka më shumë faktorë. Në anën tjetër, ka shumë punë që bëhen e nuk dihen nga MPJ-ja, me lobimet, me takimet e dendura që i bëjmë me shtetet që e kanë vendimmarrjen”, ka deklaruar ai, duke thënë se një gjë pozitive mund të konsiderohet fakti se pjesë e NATO-s janë katër shtete mosnjohëse kundrejt pesë sa janë në BE.
Kosova aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në BE sot. Më herët gjatë vitit, ka aplikuar edhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës.