“Bayraktarët” për Kosovën “prishin” marrëdhëniet Serbi-Turqi

Furnizimi me dron luftarak “Bayraktar” për Kosovën do të ndikojë në marrëdhëniet Serbi-Turqi. Kështu ka thënë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
“Kur turqit thonë se do t’ia japin ‘Bayraktarin’ Prishtinës, nuk është lajm as i lehtë dhe as i mirë për ne dhe do të ndikojë në marrëdhëniet tona, edhe pse ne e respektojmë shumë presidentin turk Recep Tayyip Erdogan”, ka thënë Vuçiq për TV Pink.
Vuçiqi ka thënë se për këtë Serbia duhet të ketë një mbrojtje kundërajrore të mirëpërgatitur, një skuadër luftarake për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave.
“Përveç kësaj, ata nuk kanë të drejtë të armatosin dikë që nuk ka të drejtë të ketë ushtri”, tha ai.
Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, ka konfirmuar sot se Kosova po zhvillon punime për blerjen e dronëve “Bayraktar” që prodhohen nga Turqia./21Media