Aktakuzë ndaj 7 të dyshuarve për falsifikim të rezultateve në zgjedhjet e 14 shkurtit

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale Falsifikimi i rezultateve të votimit, në zgjedhjet e parakohshme të Përgjithshme Parlamentare për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më datën 14 shkurt 2021.
Në mesin e të akuzuarve është edhe ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, me inicialet H.SH.
“Në mesin e të akuzuarve janë: H. SH., ish-deputet i Kuvendit të Kosovës gjatë legjislaturës së vitit 2019 nga radhët e subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të pandehurve S. M., A.K., I. H., G. H., dhe D. G. që të gjithë zyrtarë të Qendrës për Numërimin e Rezultateve të KQZ-së dhe të pandehurit P.P. Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit, kundërligjshëm ia kanë shtuar 65 vota kandidates për deputete M. H. S. nga radhët e AAK-së, kurse kandidatit H. SH. ia kanë shtuar 3 vota”, thuhet në njoftim.
Sipas Prokurorisë, hetimet arritën të dëshmojnë përfshirjen e kandidatit H. SH.,në kryerjen e veprës penale, mirëpo nuk arritën të sigurojnë prova të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin e bazuar se M. H. S. ishte e përfshirë në kryerjen e veprës penale.
Një ditë më parë, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave në lidhje me Zgjedhjet e Parakohshme të Përgjithshme Parlamentare për Kuvendin e Kosovës të mbajtura me datë 14 shkurt 2021.
Në mesin e tyre është edhe një ish-deputet i LDK-së.
Shtatë prej personave akuzohen për veprat penale: Keqpërdorim i të drejtës së votimit dhe Vjedhja e identitetet dhe pajisja e qasjes, kurse një person akuzohet për veprën penale Kanosje, thuhej në njoftimin e prokurorisë.

Back to top button