Lirohen për qarkullim dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak

(Lajm i përditësuar)
Policia e Kosovës ka njoftuar se pas largimit të barrikadave janë rihapur për qarkullim edhe dy pikë-kalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak.
Zyrtarët policorë në veri të vendit në këto dy pikë kalime kufitare, do të vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të rendit publik dhe kushtetues.
“Bllokimi i kundërligjshëm i rrugëve, sulmet e kryera ndaj institucioneve të sigurisë, mediave dhe qytetarëve, kishin ndikuar në përkeqësimin e situatës dhe në vështirësimin e jetës së qytetarëve të asaj zone të cilët nuk kanë mundur të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk e kanë pasur qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme. Edhe përkundër rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës ishte angazhuar në të gjitha format që t’u dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallim, si dhe të mbajë rendin e sigurinë publike. Liria e lëvizjes së lirë, parandalimi i akteve kriminale dhe ofrimi i sigurisë janë në dobi të të gjithë qytetarëve dhe për këtë Policia e Kosovës në vazhdimësi do të angazhohet duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Largohet barrikada në Zupç
Është larguar barrikada edhe në Zupç, barrikadë kjo që ka qenë e vendosur në rrugën që çon për në pikën kufitare në Bërnajk.
Barrikada më e madhe e vendosur në Rudarë, nga grupe të caktuara kriminale, dje është larguar nga vetë ata që i kanë vendosur.
Shumica e barrikadave ishin vendosur njëzet ditë më parë për shkak të arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq, që dyshohet për terrorizëm, i cili me urdhër të Gjykatës është liruar në arrest shtëpiak.
Ndryshe, serbët për herë të parë kanë ngritur barrikada në shenjë proteste në vitin 2011 për të kundërshtuar shtrirjen e pushtetit të autoriteteve kosovare në atë pjesë të vendit. Që nga atëherë, barrikadat janë simbol i tensioneve dhe destabilitetit në veri të Kosovës.
08:12 – Dy pikat kufitare me Serbinë ende të mbyllura
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka bërë të ditur se vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe në orë e mëngjesit të së premtes dy pikat kufitare, ajo në Jarinë dhe Bërnjak.
Në pikat tjerat kufitare nuk ka pritje të gjata, as në hyrje të Kosovës, e as në dalje.

Dje janë larguar barrikadat e vendosura nga serbët në veri, që bllokuan rrugët për pothuajse tri javë rresht.
Barrikadat janë larguar në fshatin Rudarë, i cili gjendet në komunën e Zveçanit, në komunën e Leposaviqit dhe të Zubin Potokut./21Media

Back to top button