Vrasja në Prizren, shoqërohet në polici Dibran Hoxhaj

Policia e Kosovës ka konfirmuar se pronari i lokalit “Kobra City”, Dibran Hoxhaj është shoqëruar në polici, pas përleshjes që ndodhi në këtë lokal ku si pasojë u vra një person.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi për portalin rtv21.tv konfirmoi se rasti ka ndodhur në lokalin e lartcekur.
“Pronari lokalit për momentin është në Stacionin Policor”, tha ai.
Më herët Bytyqi për portalin rtv21.tv tha se fillimisht policia e Prizrenit është njoftuar sot (03. 01. 2023), rreth orës 04:10.
“Policia ka dal në vendngjarje dhe është marr me rastin. Me vonë nga autoritet e Policisë së Shqipërisë jemi njoftuar se :”rreth orës 04:25, të mëngjesit, kanë hyrë për në drejtim të spitalit rajonal të Kukësit, shtetasit V. C., 31 vjeç, dhe R. Sh., 27 vjeç, që transportoheshin me automjet nga shtetasi A . B., të tre nga Kukësi, ku shtetasit V. C., dhe R. SH , ishin të plagosur me armë zjarri në Prizren të Kosovës. Si pasojë e plagëve të marra shtetasi V. C., ka ndërruar jetë gjatë rrugës, ndërsa shtetasi R. Sh., ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Në lidhjen me ngjarjen, menjëherë nga DVP Kukës është ngritur grupi hetimor i cili po kryen veprimet proceduriale për llogari të Policisë së Kosovës. Nga deklarimet e para të shtetasit të plagosur dhe shtetasit A. B., që i ka transportuar për në spital, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në dalje të Prizrenit, ku pas një konflikti në një lokal nate me disa shtetas kosovar dhe në momentin që këta shtetas po largoheshin me automjet dyshohet se shtetasi D.H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre. Në lidhje me ngjarjen është komunikuar me Policinë kosovare dhe vijon shkëmbimi i informacionit.” Menjëherë pas këtij informacioni në rast është kyq edhe Sektori rajonal I hetimeve të Prizrenit. Policia pra po merret me rastin, deri me tani jane duke u intervistuar disa dëshmitar.”, bëri të ditur Bytyqi./21Media