Dita e 6-të pas tërmetit në Turqi dhe Siri, krejt çka dihet deri më tani

Dita e 6-të pas tërmetit në Turqi dhe Siri, çka dihet deri më tani
Dita e 6-të pas tërmetit në Turqi dhe Siri, çka dihet deri më tani
Po vazhdon të rritet edhe më tej numri i viktimave si pasojë e tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë mëngjesin e 6 shkurtit.
Në Turqi dhe Siri nga tërmeti mbi 23 mijë persona mbetën të vdekur, numër ky që pritet të rritet, teksa ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet për të mbijetuarit e këtyre tërmeteve.
Turqia gjatë kësaj jave u përball edhe me temperatura të ulta.
Ende nuk dihet për numrin total të personave që mbijetuan. Por, sipas pamjeve dhe raportimeve nga mediat turke shihet se në mesin e të mbijetuarëve janë edhe disa foshnje të porsalindura.
Raportohet se të paktën 5,500 ndërtesa janë shembur dhe mijëra të tjera janë “dëmtuar rëndë”.
Ndihma për Turqinë dhe Sirin, kanë ofruar shumë vende të botës, përfshirë edhe Kosovën.
Ekipi i parë i kërkim-shpëtimit i FSK-së u nis për në Turqi më 6 shkurt, derisa dy ditë pas shkuarjes, ata ia dolën ta nxjerrin nga rrënojat një foshnje të vogël 2-vjeçare bashkë me nënën e tij.
Gjithashtu edhe një tjetër ekip i FSK-së mbrëmë është nisur për Turqi për t’iu bashkuar të tjerëve në ndihmë të njerëzve që po ballafaqohen me pasojat e tërmetit.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për tre muaj.
Gjendja e jashtëzakonshme do të jetë në dhjetë qytetet e prekura nga tërmetet: Gaziantepi, Kahramanmarashi, Hatai, Osmanije, Adijamana, Malatia, Shanliurfa, Adana, Dijarbakër dhe Kilisi.
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan shpalli shtatë ditë zie kombëtare për viktimat e tërmetit të së hënës. Ditë zie në Kosovë ishte më 8 shkurt, kurse Shqipëria shpalli ditë zie më 13 shkurt.