E mbijetuara e tërmetit: Hekurosa uniformën e vajzës time të dielën në mbrëmje, u zgjuam me dridhje

(Lajm i përditësuar)

Pas tërmeteve që shkaktuan shkatërrime në 10 provinca të Turqisë, shumë objekte në Antalia u hapën për viktimat e tërmetit.

Të mbijetuarit e tërmetit që erdhën nga rrethi Antakya i Hatajit dhe qëndruan në apartamente po përpiqen të shërojnë plagët e fatkeqësisë. 

Sevinç Dokuyucu, e cila po qëndron me vajzën e saj 8-vjeçare dhe mbesën 6-vjeçare me lot në sy e përshkroi momentin e fatkeqësisë.

“Unë hekurosa uniformën e vajzës time të dielën në mbrëmje. Përgatita kutinë e drekës dhe e lashë mënjanë. Ajo do të shkonte në Shkollë e entuziazmuar të hënën në mëngjes. Ne u zgjuam me atë dridhje në mëngjes. Mendja jonë është me të afërmit tanë në Hatay”, tha ajo.

Qëndruan 101 orë nën rrënoja, babë e bijë tregojnë momentet e vështira
Numri i viktimave rritet si pasojë e tërmetit në Turqi e Siri. Ata që mbijetuan në këtë fatkeqësi, po rrëfejnë momentet e vështira që i kaluan.
43-vjeçari Cem Okur dhe vajza e tij 8-vjeçare, Tanem, të cilët e panë dritën e diellit pas 101 orësh nën rrënoja në Hataj, treguan për mediat turke historinë e tyre se si nuk iu dorëzuan vdekjes.
Në momentin që kuptoi se nuk mund të bënte asgjë veçse të priste t’i shpëtonin, Cem rrëfen se vendosi që të mbante lart moralin e tij dhe të vajzës duke luajtur lojën “letër, gërshërë, gur”.
“Ne nuk mund të shiheshim por vendosëm të luanim për sa kohë mund të dëgjonim njëri tjetrin. Ajo fitonte shumë shpesh, nuk e di a më ka gënjyer apo jo”, rrëfen 43-vjeçari duke buzëqeshur.
Ndërsa skuadrat po garonin me kohën për t’i arritur, babë e bijë arritën të ishin të qetë vetëm falë kësaj loje.
43-vjeçari rrëfen se kishte momente që vogëlushja më thoshte se ishte e uritur apo e etur dhe se e vetmja mënyrë që mund t’i shkonte ndërmend për ta qetësuar ishte të flisnin dhe të nisnin të ëndërronin sikur këto gjëra nuk u mungonin./21Media

Back to top button