Kurti thotë se në takimin e 27 shkurtit s’do të flitet për Asociacionin

(Lajmi përditësuar)
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se nuk do të flitet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në takimin e 27 shkurtit të nivelit të lartë mes tij, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian.
Ai pas konferencës vjetore të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) “Par Progresi Kosovë 2023” deklaroi se për gjëra të tjera nuk mund të flasin tani edhe për shkak se kjo varet nga ndërmjetësit e dialogut.
“Ne e kemi propozimin evropian me iniciativë franko-gjermane, që tashmë kemi konstatuar që është edhe bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme. Prandaj, nga dita e hënë kur zhvillohet takimi i radhës i takimit të lartë ne presim që edhe të ketë diskutime të mëtutjeshme edhe të ecim përpara mbi bazën e atij propozimi, mirëpo për gjërat e tjera nuk mund të flasim tani edhe për shkak se jo pak varet nga fasilituesit apo ndërmjetësit. Pas ditës së hënë do të mund të dimë më shumë se çka e kur”, u shpreh Kurti.
“Janë pesë fjali të preambulës, janë 10 nene gjithsej dhe unë besoj që duhet t’i përmbahemi propozimit që kemi marrë e jo interesit të njërës palë“, theksoi ai.
“Pas të hënës do të mund të dimë se çka e ku” tha Kurti.
Szunyog: Reforma në Administratën Publike, çelës për anëtarësim në BE
Reforma në Administratën Publike është çelës për anëtarësim në union, kështu vlerësoi Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
“Reforma në Administratën Publike është çelësi kyç për anëtarësim në Bashkimin Evropian ku duhet të ofrohen shërbime cilësore për qytetarët dhe shërbyesit civilë” tha Szunyog në “Par Progresi Kosovës 2023” të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike
Megjithatë ai shtoi se Administrata Publike ka disa boshllëqe në të cilat duhet punuar shumë.
BE s’pajtohet me Ligjin për zyrtarët publikë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se reformimi Administratës Publike ishte urgjencë pasi raportet vendore e ndërkombëtare tregonin gjendjen e këtij institucione
Ai këto deklarata i bëri gjatë konferencës vjetore të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) “Par Progresi Kosovë 2023” të martën.
“Në vitet e shkuara raportet ndërkombëtare tregonin se ka mungesë të profesionalizimit, matjes së performancës dhe kanë gjetur këto konstatime që ne duhet t’i adresojmë me urgjencë. Padyshim që me këto dukuri dhe mungesa që kanë përcjellë administratën ndër vite besimi i qytetarëve karshi institucioneve publike është zbehur dhe kjo ka shkaktuar joefikasitet dhe ngecje në ofrim të shërbimeve dhe reformave të sektorëve të tjerë që janë të rëndësishëm për qytetarët”., tha kryeministri.
Sa i përket Ligjit për Paga që ka hyrë në fuqi në fillim të këtij muaji, Kurti deklaroi se dallimi mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët ka rënë në mënyrë drastike.
“Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga në sektorin publik, në Republikën e Kosovës për herë të parë kemi një sistem të unifikuar të pagës në sistemin publik dhe po mënjanohet pabarazia drastike në pagë çfarë ishte në të kaluarën. Dallimi mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët nga 20 sa ishte dikur tani është zbritur në vetëm 4,70 herë. Kemi rritje të buxhetit për paga prej 105 milionë euro”, tha Kurti
Ndërkaq, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka kritikuar procedurën e miratimit të këtij ligji, duke thënë se nuk pajtohet me mënyrën se si qeveria ka shqyrtuar të njëjtin.
“Dy miratimet që janë bërë në fund të vitit për sa i takon rishikimet e Ligjit për Pagat dhe Ligji për Shërbyesit Publik, siç kemi thënë më parë nuk pajtohemi me qasjen që ka marrë kuvendi për të miratuar këto ligje në procedurë të shpejtë. Sepse ligje të tilla duhet të ngërthejnë konsultime të dobishme me gjitha palat e interesit. Megjithatë këto konsultime nuk janë bërë në bazë të rregulloreve përkatëse… Ligji i ri për zyrtarët publiëk, i cili është duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, ky ligj drejtpërdrejt ndërlidhet me parimet e administratës publike moderne. Ne pranojmë që ka një boshllëk në këtë aspekt. BE nuk pajtohet me mënyrën se si qeveria ka zgjedhur të shqyrtojë këtë ligj dhe më vjen keq të them që komentet që ka bërë BE dhe SIGMA, asnjëra nga to nuk është marrë parasysh nga qeveria apo parlamenti. Zyrtarët publikë i vendos ata në një rrezik të korrupsionit dhe ndikimit politikë. Edhe pse ka disa boshllëqe, asnjë rekrutim nuk është bërë që dy vite. Ligji i ri nuk do të krijoj kushte për të rekrutuar njerëz në këto pozita të lira”, ka deklaruar ai./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?