Abazoviq për sulmin ndaj profesorit shqiptar nga policia: Nuk tolerojmë torturë policore

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq tha sot se me afrimin e 19 marsit (dita kur janë caktuar zgjedhjet presidenciale), mund të pritet, tensione dhe përpjekje për të krijuar një atmosferë të keqe në marrëdhënie për shqiptarët dhe boshnjakët.
Këto deklarata Abazoviq i bëri para gazetarëve në Villa Goricë i pyetur rreth videove, në të cilat shihen disa policë të Malit të Zi duke keqtrajtuar profesorin universitar shqiptar Petraq Milo në kufi mes Malit të Zi e Shqipërisë.
“Policët që kanë probleme të caktuara nuk mund të jenë pjesë e shërbimit dhe kjo do të zgjidhet”, tha Abazoviq.
“I kam parë incizimet qysh më 15 janar, ne atëherë kemi ndërmarrë veprime. Nuk mund të jenë pjesë e shërbimit policët që kanë probleme të caktuar dhe kjo do të zgjidhet”, ka thënë Abazoviq.
Abazoviq tha se “jo gjithçka është saktësisht siç është në video”.
“Në video keni një ndërhyrje kur automjetit i janë afruar disa policë. Para kësaj ka pasur disa veprime që duhet të konstatohen dhe disa shkelje, prandaj ka ndodhur ky problem”, tha ai.
Abazoviq theksoi se tortura policore ndaj askujt nuk mund të tolerohet.
Videoja është publikuar nga mediat shqiptare më 15 shkurt dhe nga Podgoricki vremeplov në Podgoricë pasditen e 21 shkurtit. Këto janë dy video të ndryshme të së njëjtës ngjarje, por videoja e dytë është më e gjatë dhe më e qartë, pasi është filmuar nga afër.
Në videon e publikuar, në një moment shihet dhe dëgjohet se si një burrë nga automjeti u thotë policëve se “nuk kam bërë asgjë”. Në video po ashtu dëgjohet fjalia “ule telefonin”, teksa polici nxjerr me dhunë nga makina shtetasin e huaj./21Media