Shasha: Janë tre mesazhe të rëndësishme nga publikimi i Freedom House

Në raportin më të ri të organizatës Freedom House për lirinë në botë, Kosova renditet e treta në listë për përmirësimet e bëra në këtë fushë.
Edhe pse mbetet në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira, Kosova vlerësohet me plus 4 pikë për përmirësimin e të drejtave politike dhe të lirive civile.
Ndërsa, Demush Shasha nga Instituti EPIK ka veçuar tre mesazhe të rëndësishme nga publikimi i sotëm i Freedom House për liritë politike dhe civile në botë.
1. Kosova ka bërë progres rekord vjetor demokratik në historinë e saj dhe ka zënë vendin e tretë në botë për progresin më të madh vjetor demokratik.
2. Demokracitë e Kosovës dhe të Serbisë janë duke shkuar në drejtime krejtësisht të kundërta. Kosova çdo vit më e lirë dhe më e drejtë, Serbia çdo vit më pak e lirë dhe më pak e drejtë.
3. Duke shikuar dhjete vitet e fundit vetëm Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë sot demokracitë më të mira se para dhjete vitesh, Shqipëria nuk ka bërë asnjë progres në këtë periudhë; ndërsa Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja kanë sot demokracitë më të dobëta se para dhjete vitesh. Në veçanti Serbia ka bërë regres duke rënë në renditje për plot 18 vendesh. Një degradim kaq i thellë demokratik e ka sjell Serbinë në grup me Afganistanin dhe Mjanmarin./21Media