Presidenca kërkon penalizimin e Vuçiqit: Nuk po e zbaton marrëveshjen
Blerim Vela, shef stafit në kabinetin e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia duhet të penalizohet, kjo për faktin se, siç thotë ai, presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk do të pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat e institucionet e tij.
“Një shkelje që do të duhej të penalizohej”, ka thënë Vela.
“Edhe pse Vuçiqi u zotua të zbatojë obligimet nga marrëveshja me Kosovën, përfshirë anëtarësimin në ndonjë organ ndërkombëtar (neni 4), ai vepron me keqbesim dhe thotë se Serbia nuk do të pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, institucionet, agjencitë dhe organizatat e saj! Një shkelje që do të duhej të penalizohej”, ka shkruar Vela në Twitter.
Ndryshe, më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, pas më shumë se 12 orë negociatash mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq është arritur marrëveshje mbi Aneksin e implementimit të Planit evropian për dialogun, por pa nënshkrim të palëve. Megjithatë, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka thënë se marrëveshja dhe aneksi për zbatimin e saj konsiderohen të aprovuara.
Even though Vučić committed to implement obligations from the agreement w #Kosovo, incl. membership to any int’l orgs (art. 4), he acts in bad faith & says #Serbia won’t agree to 🇽🇰 membership to 🇺🇳, its institutions, agencies & organizations! A violation that shld be penalized! pic.twitter.com/jOfzCHCF7E
— Blerim Vela (@Blerim_Vela) March 21, 2023