Kërkohet paraburgim për një të dyshuar për fajde, një tjetër në arrati

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një të pandehuri të dyshuar për veprën penale “Fajdeja”, ndërsa një person tjetër i dyshuar për të njëjtën vepër penale ndodhet në arrati dhe është në kërkim nga organet kompetente.
Sipas Prokurorisë, dy të dyshuarit dyshohet se kanë vepruar në bashkëkryerje, duke përfituar nga gjendja e rëndë financiare e të dëmtuarit dhe duke siguruar përfitime të mëdha financiare në mënyrë të kundërligjshme.
“Sipas dyshimeve të bazuara që rezultojnë nga hetimet e deritanishme, personat e dyshuar kanë vepruar në bashkëkryerje duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit, me ç’rast kanë kontraktuar dhe përfituar shuma dukshëm joproporcionale në raport me huanë e dhënë”, thuhet në njoftim.
Hetimet kanë zbuluar se në shtator të vitit 2021 ishte lidhur një marrëveshje huazimi në vlerë prej 50 mijë eurosh, e shoqëruar me kushte të rënda financiare për huamarrësin.
“Nga hetimet e zhvilluara, rezulton se në shtator të vitit 2021 është lidhur një marrëveshje huazimi në shumën prej 50,000 euro, me kushte të rënda financiare për të dëmtuarin, duke përfshirë kamata mujore dhe përfitime të konsiderueshme pasurore në favor të të pandehurve. Më pas, përmes kërkesave të vazhdueshme për pagesë dhe presionit të ushtruar ndaj familjarëve të të dëmtuarit, është kërkuar kthimi i shumave shumëfish më të larta se huaja fillestare”, thekson Prokuroria.
Sipas të dhënave të hetimit, të dëmtuarit dyshohet se kanë paguar rreth 150 mijë euro, pa përfshirë borxhin fillestar.
“Sipas hetimeve, të dëmtuarit dyshohet se kanë paguar gjithsej rreth 150,000 euro pa llogaritur borxhin bazë”, thuhet në komunikatë.
Ndërkohë, Prokuroria ka bërë të ditur se po zhvillon hetime edhe ndaj një personi tjetër, i cili dyshohet për veprën penale “Manipulimi me prova”.
“Prokuroria është duke zhvilluar hetime edhe ndaj një personi tjetër, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale ‘Manipulimi me prova’, për shkak të dyshimeve se ka ndërmarrë veprime me qëllim të pengimit ose vështirësimit të procedurës penale dhe administrimit të drejtë të provave”, thuhet në njoftim.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?