Haradinaj: Sakrifica e dëshmorëve dhe martirëve na motivon për ta dashur dhe mbrojtur atdheun

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar masakrat e Belegut, Irzniqit dhe Poterqit.

Ai, me anë të një postimi në “Facebook”, ka përmendur edhe rënien heroike të katërmbëdhjetë bashkëluftëtarëve nga Zona e Dukagjinit, Pashtrikut e Drenicës, në përballje heroike me armikun në Shishman të Bokës.

“29 marsi na kthen në kujtesë vitin 1999, martirizimin e dhjetëra motrave dhe vëllezërve tanë në fshatrat Beleg e Irzniq të Deçanit dhe në Poterq të Klinës. Edhe pse të paarmatosur, ata nuk u kursyen nga barbarët dhe vazhdojnë të mbesin plagë që kullon në shpirtin tonë. Kujtojmë po ashtu rënien heroike të katërmbëdhjetë bashkëluftëtarëve nga Zona e Dukagjinit, Pashtrikut e Drenicës, në përballje heroike me armikun në Shishman të Bokës. Sakrifica e tyre dhe e të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të Lirisë na jep motivim për ta dashur dhe mbrojtur Atdheun tonë dhe të vazhdojmë angazhimin si shoqëri dhe shtet për zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe vendosjen e drejtësisë për ta. Lavdi e përjetshme të rënëve për liri”, ka shkruar Haradinaj.

24 vjet më parë, forca të shumta policore, ushtarake dhe paramilitare serbe në Beleg të Deçanit vranë dhe masakruan 46 shqiptarë.

Kjo është njëra prej masakrave më të mëdha të kryera nga forcat paramilitare serbe, të cilët më 1999 filluan një ofensivë të egër ndaj popullatës së Izniqit dhe Belegut, një ditë pasi ata pësuan humbje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Edhe sot e kësaj ditë fati i 33 të pagjeturve të këtij fshati si dhe fshatrave të tjera të Deçanit mbetet i pazgjidhur./21Media 

Back to top button