Kurti ua uron Pashkën besimtarëve katolikë e protestantë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ua ka uruar Pashkën besimtarëve katolikë e protestantë.

“Urime për të gjitha familjet që e shënojnë këtë festë të shenjtë e të madhe”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Sipas Kurtit, më shumë se kurrë njerëzit kanë nevojë për besim, mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë, që t’i kalojnë të gjitha pengesat me durim e t’i kremtojnë arritjet me gëzim.

“Le t’ia përkujtojmë njëri-tjetrit se me më shumë vendosmëri e besnikëri, të inkurajuar nga shpresa e të mbrujtur nga përkushtimi, së bashku, ndërtojmë një shoqëri të mirëkuptimit dhe solidaritetit. Le të frymëzohemi nga gëzimi që vjen pas sakrificës së madhe, nga gëzimi i ringjalljes, nga kumti i Pashkës për më shumë përgjegjësi dhe unitet”, ka shtuar Kurti.

Ai tha se kjo kohë e mirësisë dhe afërsisë së vërtetë reflektohet edhe në kujdesin për fqinjët.

“Le të tregojmë solidaritet dhe vullnet për të ndihmuar të tjerët. Festa e Pashkës është festë e shpresës, besimit dhe dashurisë së përjetshme, ku jeta mposht vdekjen dhe drita mposht errësirën. Ajo evokon devocionin dhe tregon rrugën e ripërtëritjes dhe rilindjes”, ka shkruar ai.

Back to top button