Sërish s’ka kuorum, dështoi seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës

(Lajm i përditësuar)

Deputetja se Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili, tha se Kuvendi i Kosovës ka pasur kuorum për të filluar seancën e paraparë në orën 10:00, pasi në sallë, sipas saj ishin prezentë rreth 90 deputetë.

“Rregullorja e Kuvendit kërkon që seanca të filloj kur ka kuorum – pra kur janë 61 deputetë prezent. Ne ishim rreth 90”.

Sipas deputetes, pozita po kalkulon sa deputetë i kanë ata në sallë, pa e llogaritur fare opozitën.

“Pra, ne kot shkojmë aty, sepse rëndësi ka vetëm 50%-shi i parë (që nuk po arrijnë ta sigurojnë), jo dhe i dyti, dhe e gjithë kjo në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit”, ka shkruar Kica-Xhelili në rrjetin e saj social në Facebook.

13: 06- Sërish s’ka kuorum, dështoi seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës

Sërish nuk pati kuorum që të vazhdojë seanca e Kuvendit të Kosovës, e cila paraprakisht është shtyrë për në orën 12:30.

Kryekuvendar Glauk Konjufca njoftoi, pas rreth 30 minutash, e Kuvendi sërish nuk e ka kuorumin e mjaftueshëm për të vazhduar me seancën.

11: 19- S’ka kuorum, shtyhet seanca, Konjufca: Kjo legjislaturë nuk e meriton të vazhdojë

Seanca e Kuvendit të Kosovës, e planifikuar për orën 10:00 është shtyrë për në orën 12:30, për shkak të mungesës së kuorumit.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i cili ka thënë se nevojiten votat e mazhorancës për votimin e shumë pikave të rendit të ditës.

Në rend dite për seancën e sotme janë pika të papërfunduara nga seancat e muajit shkurt dhe mars.

Në mesin e tyre është edhe votimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2021, votimi i Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, votimi në parim i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

Konjufca: Kjo legjislaturë nuk e meriton të vazhdojë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se legjislatura aktuale nuk e meriton të vazhdojë, për shkak të sjelljeve të papërgjegjshme të deputetëve.

Seanca e Kuvendit të Kosovës ishte paraparë të fillojë në orën 10:00 për të diskutuar pikat e mbetura nga disa seancat kaluara por ende nuk janë mbledhur të gjithë deputetët.

“Qysh po e shoh këtë sjellje të papërgjegjshme të disa deputetëve unë nuk po mendoj se kjo legjislaturë e meriton me vazhdua…emrat ata që nuk kanë ardhur”, ka thënë ai.

Edhe javën e kaluar në mungesë të deputetëve ka dështuar të mbahet seanca e cila ishte paraparë po për ditën e mërkurë.

08: 12- Kuvendi i Kosovës mblidhet në seancë plenare

Kuvendi i Kosovës sot (e mërkurë) vazhdon seancën plenare.

Ajo pritet të nisë nga ora 10:00.

Në rend dite janë pikat e papërfunduara nga Seanca plenare e mbajtur në shkurt e mars.

Rendi i ditës
I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 2 shkurt dhe 22 mars 2023:

20. Votimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021,
21. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2021,
22. Shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2021,
23. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit të performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare,
24. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb.

II. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 9 shkurt 2023:

15. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-199 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-060 për Mjekësinë Ligjore,
16. Shqyrtimi i rekomandimeve për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.04/L-109 për Komunikimet Elektronike,
17. Përzgjedhja e një (1) anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

III. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 23 shkurt 2023:

8. Votimi i Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës,
9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-208 për parqet industriale dhe teknologjike,
10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-209 për investime të qëndrueshme,
11. Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë për miratimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “Moxico Luma Kosova Mining L.L.C.”,
12. Shqyrtimi i Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”,
13. Propozimi i GP “Multietnik” për shkarkimin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bekim Arifi.

IV. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 9 mars 2023:

9. Shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2021,
10. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe monitorimi i tyre mbi ndikimin në mjedis dhe ujëra”,
11. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit “Performanca financiare dhe operative NP “Trepça Sh.A”,
12. Emërimi i drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,
13. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës në mbështetje të Fondit Kosovaro-Amerikan për Arsim (KAEF).

V. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 23 mars 2023:

6. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
7. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-214 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-163 për minierat dhe mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-158,
8. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,
9. Formimi i Komisionit Ah-hoc për përzgjedhjen e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar,
10. Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave,
11. Zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave,
12. Zgjedhja e një (1) zëvendësi të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë,
13. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-210 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë,
14. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-218 për organizimin e tregut për produktet bujqësore,
15. Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës.

VI. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 6 dhe 7 prill 2023:

4. Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës,
5. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-110 për Agjencinë e Kosovës për Akreditim,
6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-155 për sanksionet e shёnjestruara kundër shkelësve të huaj të drejtave të njeriut,
7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-201 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-081 për energjinë,
8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-160 për pensionet e zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore,
9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-220 për çmimin e produkteve medicinale,
10. Shqyrtimi i rekomandimit lidhur me auditimin e procesit të shitjeve me negocim direkt në Agjencinë Kosovare të Privatizimit,
11. Shqyrtimi i propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të seancës plenare, nr.08-V-321, i datës 23 qershor 2022.

Back to top button