Nxënësit marrin zanat në Kosovë, për të punuar në Evropë

Nxënësi i shkollës së mesme profesionale Shtjefën Gjeçovi, Salaudin Demiri, po e pret dëftesën e notave. Thotë se aktualisht është i angazhuar me punë praktike në një kompani, por shton se mezi pret që të diplomohet për t’u larguar nga Kosova.

“Mirë është mbi mesatare, po une jam i gatshëm për punë, du me kry shkollën, nihere du me diplomu në Kosovë, pastaj me dal jashtë”, tha ai për RTV21.

Altin Abazi, një tjetër nxënës i kësaj shkolle thotë se në mundësinë e parë do të largohet nga Kosova.

“…mësojna mirë, profesorat janë të mirë të rregullt, jam i gatshëm me punu, kismet me dalë jashtë Kosovës”

Një numër i madh i qytetarëve e kanë lëshuar Kosovën në dy vjetët e fundit. Megjithatë, ka edhe nxënës të tjerë që janë të diplomuar në këtë shkollë dhe e kanë gjetur vetën mirë.

Jon Ferizaj, ish nxënës i kësaj shkolle thotë se menjëherë pas përfundimit të shkollës ka gjetur punë dhe se siç thotë ai puna e tij paguhet mjaftë mirë.

“…kam përfundu për ngrohje klimatizim, kom kry shkollën e kom marrë diplomën, jom kyq, e kom mësu përfekt punën kom fillu praktikë, 6 muaj para se me kry klasën e 12-të, e kom marrë zanatin kogja mirë, po unë e kom mendimin me nejt këtu me punu me zhvillu zanatin këtu në Kosovë, se kam mendjen me dal jashtë, për ata që kanë vullnet me punu është opsion i mirë”.

Drejtori i shkollës “Shjtefën Gjeçovi”, Blerim Gërvalla, thotë se është rritur interesimi i nxënësve për shkollën dhe shumica e të diplomuarve janë të gatshëm për tregun e punës. Sipas tij, profesionet më të kërkuara janë: automekanikët dhe metalpunuesit, duke mos i lënë anash edhe lëmit e tjera që ofron ky institucion shkollor.

“… ne si shkollë qëllimin e kemi çdo herë që këtë rini ta trajnojmë, aftësojmë për punë në vendin e tyre, por me qenëse edhe tash tregu i jashtëm sidomos i botës perëndimore, dhe i Amerikës është hapur për këtë profesione dhe po kanë nevoja shumë të larta atëherë nuk kemi mekanizëm që mundemi me i ndalë, edhe pse këtu pagat i kenë shumë të mira unë po flas prej burimeve të sakta deri në 1k euro automekanikët e shkollës tonë, ka profesione tjera që ndoshta kanë hapur edhe biznes personal dhe fiton shumë më shumë mirëpo ndoshta edhe lakmia e tepruar për me dalë jashtë, ndoshta edhe disa kushte deri sa të rregullohen në shtetin tonë çështja e sigurimeve shëndetësore, e sigurimit të fëmijëve edhe kjo ndoshta njerëzit po i shtynë se unë jam i bindur se nuk është vetëm tek paga kjo ike ky migrim”.

Ndryshe në Komunën e Prishtinës, ka 8 shkolla profesionale duke filluar nga shkollat e muzikës deri në shkollën profesionale për IT.

Rinor Qehaja, nga instituti “EdGuard”, thotë se emigrimi jashtë vendit është zgjedhje e individit.

“Shkollat profesionale nuk i përgatisin nxënësit për jashtë vendit, por puna jashtë vendit është zgjedhje e lirë që mund të bëjë çdo i diplomuar çka është përgjegjësi institucionale është që rrisin ofertën e tregut të punës në mënyrë që puna në vend të bëhet më atraktive si rezultat të eliminohen trendë të tilla të emigrimit jashtë vendit”.

Sipas drejtuesve të shkollave profesionale numri për regjistrimin e nxënësve në këto shkolla mbushet qysh në afatin e parë në qershor./21Media

Back to top button