Çfarë u diskutua në takimin e Kurtit me ambasadorët e akredituar në Kosovë?

(Lajm i përditësuar)
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi ftuan sot për një takim informues ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe zëvendësambasadorët e akredituar në Kosovë.
Në komunikatën nga zyra e kryeministrit thuhet se temë qendrore e bisedës dhe diskutimit ishte situata e sigurisë në veri të vendit pas agresionit serb të djeshëm ndaj Republikës së Kosovës.
Kryeministri i njoftoi ata për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, që u mbajt sot në mëngjes, dhe me masat e sigurisë që institucionet e vendit kanë ndërmarrë, si dhe ndau me ta dëshmitë që dokumentojnë se kemi të bëjmë me agresion të Serbisë ndaj Kosovës dhe se rrëmbimi i zyrtarëve të Policisë së Kosovës kishte ndodhur thellë në brendi të territorit të Kosovës.
Kryeministri tha që ky akt është shkelje e kushtetutës, rendit ligjor, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Ai ritheksoi kërkesën e tij për reagim urgjent e dënues të faktorëve ndërkombëtarë ndaj këtij akti të agresionit ndaj Kosovës, teksa përsëriti po ashtu kërkesën e lirimit të menjëhershëm të tre policëve, familjet e të cilëve kryeministri Kurti i vizitoi sot.

Përfundon takimi i ambasadorëve të QUINT-it në Qeveri
Ambasadorët e akredituar në Kosovë kanë dalë nga objekti i Qeverisë së Kosovës, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti. Ambasadorët nuk janë deklaruar për mediat.
Ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Qeveri
Ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe ambasadorë të tjerë të akredituar në Kosovë kanë hyrë sot pasdite në objektin e Qeverisë së Kosovës.
RTV21 ka siguruar pamje ku shihen veturat e ambasadorëve të shteteve të QUINT-it dhe ambasadorë të tjerë.
Ndryshe, tre zyrtarë kufitarë të Policisë së Kosovës janë kidnapuar të mërkurën nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri. Njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale. Deri tash, ambasadat nuk kanë dalë me qëndrime për situatën./21Media