Xhaçka: Policët e Kosovës nuk e kanë kërcënuar sigurinë kombëtare të Serbisë

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, deklaroi se rrëmbimi i tre policëve të Kosovës, nga autoritetet serbe ka ndërlikuar situatën mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa ka apeluar që të njëjtit të lirohen menjëherë. Në Kuvendin e Shqipërisë, Xhaçka tha se po ndjekin me shqetësim të gjitha zhvillimet në veri. Ajo theksoi se janë duke bërë përpjekje për lirimin e tre policëve kufitar dhe se të njëjtit nuk kanë kërcënuar sigurinë kombëtare të Serbisë.

Sipas saj, shqetësimi është i madh për shkak se aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë në mënyrë unanime e gjejnë pjesën më të madhe të përgjegjësisë tek Kosova. Një gjë e tillë, Xhaçka shtoi se ka krijuar mjaft tension dhe rrezikon të sjellë pasoja që mund të çojnë Kosovën drejt izolimit.

Ajo u shpreh se ka komunikuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia për të kuptuar se çfarë ka ndodhur.

“Situata më e fundit me tre policët e kapur nga ushtria serbe, padyshim e ndërlikon më tej situatën dhe rrezikon t’i hedhë benzinë zjarrit. Ne kemi qenë në kontakt të ngushtë me të gjithë aleatët dhe partnerët për këtë ngjarje. Kam komunikuar edhe me komandantin e KFOR duke kërkuar vlerësimin e tij për çfarë ka ndodhur. Jemi në pritje të përfundimit të hetimit apo të raportimit që do ti bëjë KFOR NATO-s, por ajo që mund të them në këtë pikë, është që është e domosdoshme që të ruhet qetësia. Është po ashtu e domosdoshme që Qeveria e Serbisë të lirojë pa humbur kohë të tre policët. Lirimi i tyre do të ishte një kontribut i madh drejt uljes së tensioneve ndërkohë që i lëmë kohë KFOR-it, që ka përgjegjësi për ruajtjen e kufirit të Kosovës në veri, që të zbardhë gjithë çfarë ka ndodhur”, tha Xhaçka.

Xhaçka theksoi se Shqipëria është e angazhuar për lirimin e policëve, megjithëse tha se policët e Kosovës nuk e kanë cenuar sigurinë kombëtare të Serbisë.

“Ne kemi bërë dhe po bëjmë përpjekjet tona aktive që lirimi i tre policëve të kufirit të ndodhë por ndërkohë jemi të qëndrimit që ata nuk kanë bërë absolutisht asnjë vepër penale apo nuk e kanë kërcënuar sigurinë kombëtare të Serbisë dhe në të tilla raste, edhe të kalimit të kufirit dhe të hyrjes në një zonë e cila do të konsiderohej e Serbisë, nëse e tillë ka qenë ngjarja, sigurisht që nuk parashikon arrest por do të parashikonte një kthim pas dhe ky është qëndrimi ynë. Përpjekjet tona do të vazhdojnë për të bërë të mundur lirimin e tyre dhe kthimin e tyre pranë familjeve”, shtoi ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Ajo ka komentuar edhe vendimin e qeverisë për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me targa serbe.

“I kemi ndjekur po ashtu me shqetësim edhe deklaratat e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me targa serbe. Theksojmë se lëvizja e lirë është një pjesë shumë e rëndësishme e angazhimeve që kemi dhe që kanë marrë të gjithë vendet tona, edhe Shqipëria dhe Kosova përfshirë, në kuadër të CEFTA-s dhe në kuadër të punës për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, por edhe në kuadër të Procesit të Berlinit, ku liria e lëvizjes dhe e qarkullimit të mallrave është një nga shtyllat kryesore të tij”, shtoi ajo.

Po ashtu, Xhaçka ka nënvizuar se nuk bëhet fjalë për masa tregtare ekonomike, por për masa sigurie.

Megjithatë, shtoi se kjo nuk duhet të ndodhë sepse përshkallëzon situatën dhe dëmton ekonomitë e rajonit.

Në fjalën e saj para Kuvendit të Shqipërisë, Xhaçka ka folur edhe për draftin e Asociacionit të kryeministrin Edi Rama, që i ka përcjellë Berlinit, Parisit dhe Uashingtonit.

“Ne e konsiderojmë hapin e ndërmarrë nga Kryeministri Rama, me propozimin për asociacionin, si një hap shumë të rëndësishëm e të qenësishëm për shtensionim dhe rikthim në rrjedhë të dialogut. Pas anulimit të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive kam dëgjuar shumë akuza e teori për mungesën e mbështetjes ndaj Kosovës. Dikush këtu e emërtoi edhe si një akt të madh sabotazhi, si një sanksion ndaj Kosovës nga Shqipëria. Të gjithë ata që i kanë ndjekur marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën që prej viteve 1990 e dinë shumë mirë se zakonisht ata që bërtasin më shumë se ju digjet barku për Kosovën janë ata që kanë bërë më pak, ose i kanë bërë më shumë dëm Kosovës”, deklaroi Xhaçka.

Kryediplomatja e Shqipërisë deklaroi se Kosova është prioritet kombëtar që udhëheq çdo veprim e aksion në politikën e tyre të jashtme.

“Është e domosdoshme që situata të shtensionohet. Është e domosdoshme që Qeveria e Kosovës të dëgjojë partnerët tanë ndërkombëtarë, aleatët tanë, SHBA e BE, për shtensionimin e situatës. Është e domosdoshme që të ndalet thellimi i hendekut të qëndrimeve me SHBA e BE sepse pasojat janë vërtet të rënda. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dialogu Kosovë- Serbi është rruga e vetme drejt paqes. Kjo sigurisht që kërkon guxim. Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse paqeje, të mbështetur nga BE-ja dhe SHBA, që mundëson njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, kërkon më shumë guxim sesa ajo që po ndodh sot në veri që pa dyshim ka rëndësinë e vet, por dytësore krahasuar me përfitimet që Kosova do të kishte nga një qasje konstruktive krah miqve dhe aleatëve”, përfundoi ajo.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka theksoi se mbeten të angazhuar për të kontribuar me çdo mjet, në mënyrë konstruktive, por jo duke vazhduar në rrugën e përplasjes me miqtë e aleatët, meqë siç tha ajo, në këtëmënyrë Kosova nuk mund të dalë kurrë e fituar.

Back to top button