Erdogan i hapur për t’u takuar me Bashar al-Assad, por jo për t’u tërhequr nga Siria

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se është i hapur për bisedime me presidentin sirian Bashar al-Assad, por nuk do ta takojë atë nëse do të vihej si kusht tërheqja e trupave turke nga territori sirian.
Erdogan tha se Turqia “nuk i ka mbyllur kurrë derën” diskutimeve me qeverinë siriane.
“Ne mund të mbajmë një samit katërpalësh [me Sirinë, Rusinë dhe Iranin] dhe unë jam gjithashtu i hapur për një takim me Asadin. Ajo që ka rëndësi këtu është qasja e tyre ndaj nesh. Megjithatë, kushti i Damaskut për një tërheqje të plotë të forcave turke për një takim të tillë është i papranueshëm”, tha Erdogan.
Turqia ka qenë aleati më i madh ushtarak dhe politik i opozitës siriane, e cila kontrollon bastionin e fundit të mbajtur nga rebelët në vend, i cili është në veriperëndim të Sirisë në kufirin turk, shkruan AlJazeera, përcjell rtv21.tv.
Ankaraja ka ngritur dhjetëra baza dhe ka vendosur mijëra trupa në veri të Sirisë, duke penguar ushtrinë siriane të mbështetur nga Rusia të rimarrë rajonin. Turqia ka qenë gjithashtu një bazë për grupet opozitare siriane që nga viti 2011.
Erdogan fillimisht tha këtë vit se ai mund të takohej me al-Asadin si pjesë e një procesi të ri paqeje, por al-Assad tha në mars se nuk kishte kuptim në një takim me Erdoganin derisa të përfundonte “pushtimi i paligjshëm nga Turqia”.
Turqia ka thënë se operacionet e saj ushtarake në Siri kanë qenë të nevojshme për të siguruar kufirin e saj jugor. Ajo po përpiqet të largojë luftëtarët me YPG-në, Njësitë e Mbrojtjes Popullore Kurde, për të cilat Ankaraja ka thënë se është dega siriane e PKK-së, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit. PKK ka luftuar kundër shtetit turk që nga viti 1984 – një konflikt që ka çuar në dhjetëra mijëra të vdekur. /21Media