Kryetari Aliu ngushëllon për vdekjen e nënës me të bijë nga aksidenti në Kroaci

Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, ka shprehur ngushëllime për vdekjen tragjike të nënës me të bijë në një rrugë në Kroaci, gjatë kthimit nga mërgata për në vendlindje, përderisa babai me të birin kanë mbetur të lënduar rëndë.
“Jemi tronditur thellë nga lajmi i kobshëm i aksidentit me fatalitet që e ka pësuar bashkëqytetari ynë Safet Gashi nga fshati Pjetërshticë. Gjatë rrugës së kthimit për në vendlindje për t’i kaluar pushimet verore, për fat të keq në shtetin e Kroacisë, familja Gashi kanë pësuar aksident me fatalitet, ku kanë mbetur të vdekura Njomza Olluri-Gashi dhe Olta Gashi. Ky lajm i trishtë na ka prekur skajshmërisht andaj familjeve Gashi dhe Olluri, miqve e të njohurve të tyre ua përcjellim ngushëllimet më të sinqerta për këtë tragjedi të rëndë që na ka goditur të gjithëve. Safetit dhe djalit të tij u urojmë shërim të shpejtë dhe lutemi që ky të jetë rasti i fundit ku bashkëkombasit tanë pësojnë aksidente e humbin jetën në rrugë”, ka shkruar Ali në Facebook. /21Media