Aktakuzë ndaj ish-nënkryetarit të Kllokotit, kanosi qytetarët gjatë votimeve më 14 shkurt

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër të pandehurit me inicialet S.M., ish nënkryetar i Komunës së Kllokotit.
“Prokuroria Speciale njofton se hetimet kanë vërtetuar se i pandehuri S.M., në bashkëkryerje me të dënuarin B.D. dhe persona të tjerë, ka kanosur seriozisht qytetarët e nacionalitetit serb të Komunës së Kllokotit, me qëllim të ndikimit në vullnetin e tyre zgjedhor, gjatë periudhës kohore të zgjedhjeve të Përgjithshme të Parakohshme Parlamentare të mbajtura me datë 14 shkurt 2021, duke u kërkuar që të votojnë për subjektet e caktuar politike, me kërcënimin se do ti largonin nga puna, ashtu që i dënuari B.D. në cilësinë e Kryetarit të Komunës, ka siguruar vota në mënyrë të kundërligjshme për subjektin politik ‘’Lista Serbe’’, kurse i pandehuri S.M. në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Kllokotit, ka siguruar vota për subjektin politik me numër 129 “Ujedinjina Zajdenica- Ardiana Hoxhiq’”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.
Çështja ka kaluar në kompetencë të gjykatës për procedurë të mëtutjeshme, kurse gjatë kësaj faze të procedurës i pandehuri mbrohet në liri. /21Media