Arkeologët zbulojnë një mbishkrim nga Perandori Justinian në Lokalitetin Arkeologjik Ulpiana

Arkeologët kanë zbuluar një mbishkrim monumental nga Perandori Justinian (527-565) në Lokalitetin Arkeologjik Ulpiana. Këtë e bëri të ditur ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
“Një zbulim që formëson historinë, një dedikim i fuqishëm nga Perandori Justinian është zbuluar në Lokalitetin Arkeologjik Ulpiana. Ekipi i arkeologëve në përbërje nga Christophe Goddard, Arben Hajdari e Milot Berisha gjatë hulumtimeve shkencore kanë zbuluar një mbishkrim monumental me rëndësi të jashtëzakonshme historike nga Perandori Justinian (527-565) i qytetit Justiniana Secunda, i përshkruar si qytet Dardan, një qytet në provincën e Dardanisë (krijuar nga paraardhësi i tij Diokleciani në fillim të shek. IV pas e.s.) dhe i kishës së tij”, shkroi Çeku në Facebook.
Ministri tha se mbishkrimi paraqet një dëshmi shumë të rrallë dhe dëshmon afërsinë e perandorit ndaj provincës së origjinës.
“Kisha paraqet një prej zbulimeve më të mëdha të Perandorisë së vonshme romake dhe perandorëve më të rëndësishëm”, shkroi Çeku. /21Media