Lajçak: Në shtator takimi i nivelit të lartë Kurti-Vuçiq në Bruksel

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak njoftoi se sot ka takuar në Beograd, Presidentin serb, Aleksandaq Vuçiq, shkruan Reporteri.net.
Lajçak pas takimit tha se me presidentin serb ka diskutuar mbi takimin e ardhshëm të nivelit të lartë mes palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel, me synim uljen e tensioneve, mbajtjen e zgjedhjeve si dhe implementimin e të gjitha marrëveshjeve të Dialogut.
”Në Beograd sot kam pasur diskutime thelbësore me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për takimin e radhës të nivelit të lartë në shtator, përpjekjet për uljen e tensioneve dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, si dhe zbatimin e të gjitha Marrëveshjeve të Dialogut”, shkroi ai në llogarinë e tij në Twitter.
Bashkimi Evropian (BE) i ka përsëritur kërkesat ndaj Kosovës dhe Serbisë për ndërmarrjen e hapave që u është kërkuar atyre për t’i krijuar kushtet për vazhdimin e dialogut, por nuk ka dashur të përmend afate kohore se kur mund të ndodhë një takimi i nivelit të lartë në Bruksel. Këto qëndrime i ka shprehur për REL, Peter Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të jashtme dhe të sigurisë./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?