Dalin paratë e librave për prindërit që kanë aplikuar deri më 29 gusht

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se janë ekzekutuar mjetet për subvencionimin e blerjes së librave, për grupin e parë të aplikuesve që kanë aplikuar deri më datë 29 gusht.
Nagavci tregoi se janë mbi 81 mijë përfitues nga grupi i parë.
“Numri i tërësishëm i aplikimeve deri tani është mbi 115 mijë dhe pjesa e mbetur do të trajtohen me grupin e radhës”, shkroi ajo në Facebook.
Nga të gjitha këto aplikime, janë identifikuar vetëm 75 raste me gabime për të cilat prindërit do të njoftohen për rishikimet e nevojshme.
Ministrja rikujtoi se aplikimi do të jetë i hapur gjatë gjithë muajit shtator, “në mënyrë që të sigurohemi që asnjë nxënës për çfarëdo arsye të mos mbetet pa tekste shkollore”.
“Ju sigurojmë se çdo rast i adresuar do të trajtohet me prioritet dhe do të ofrohet ndihma e nevojshme për aplikim dhe përfitim të këtyre mjeteve”, përfundoi Nagavci. /21Media