Osmani ndan urdhrin “Hero i Kosovës” për policin e vrarë Afrim Bunjaku

(Lajm i përditësuar)


Kurti: Nga dje asgjë më nuk mund të jetë njësoj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti foli sot në mbledhjen përkujtimore për policin e vrarë në veri, Afrim Bunjakun.

Bunjaku u vra gjatë një sulmi terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit.

“Nga dje asgjë më nuk mund të jetë njësoj. Faktet dolën sheshazi para syve tanë, para bashkësisë ndërkombëtare, para secilit që ka kurajë dhe vullnet për ta parë të vërtetën e rajonit në të cilin jetojmë”, tha Kurti.

Kurti tha se Kosova veproi me maturi dhe në përputhje me natyrën e saj perëndimore.

“Sot përballë e pranë portretit të Afrim Bunjakut dhe përballë veprës së tij heroike përkulemi me nderime dhe respekt, si dhe zotohemi për drejtësi dhe kujdes”, shtoi ai.


Osmani ndan urdhrin “Hero i Kosovës” për policin e vrarë Afrim Bunjaku

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ndau urdhërin më të lartë të Republikës urdhërin “Hero i Kosovës” për policin e rënë Afrim Bunjaku.

“Shteti ynë nga sot ka edhe një hero, ka edhe një kujtim më shumë për një njëri që me profesionalizëm e me përkushtim ju dedikua mbrojtjes së Republikës për të cilën ra në krye të detyrës”, tha presidentja Osmani.


Fillon mbledhja komomerative në nderim të policit të vrarë, Afrim Bunjaku

Ka filluar mbledhja komomerative në nderim të policit të rënë në detyrë, Afrim Bunjaku.

Bunjaku u vra të dielën pas një sulmi nga një grup i armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Në këtë ceremoni po marrin pjesë krerë shtetëror, deputetë, ministra, ambasadorë e politikanë.

Pjesë e delegacionit shtetëror është edhe Nenad Rashiq, ministër për Kthim dhe Komunitete.


Sot mbahet mbledhje komemorative për rreshterin Afrim Bunjakun

Nën patronatin e Ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Republikës së Kosovës, me rastin e rënies heroike në kryerje të detyrës në veri të Republikës së Kosovës, të rreshter Afrim Bunjaku, organizohet mbledhje komemorative, ku do të marrin pjesë familja e rreshter Afrim Bunjakut, personalitetet më të larta vendore dhe ndërkombëtare si dhe eprorë e zyrtarë policorë.

Mbledhja do të mbahet sot, në amfiteatrin e Biblotekës Qendrore Universitare të Universitetit të Pristhinës, nga ora 12:30.


Sot varroset polici Afrim Bunjaku

Polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra dje në veri të vendit, do të varroset sot nga ora 16:00.

Ai do të varroset në varrezat e fshatit Samadrexhë, sipas faqes së këtij fshati në “Facebook”.

“Nesër nga ora 16:00 bëhet varrimi i policit të rënë në detyrë, Heroit, Afrim Bunjaku. I njoftojmë të gjithë bashkëvendësit dhe të gjithë popullin e Kosovës se nesër, ditë e hënë, nga ora, 16:00, në varrezat e fshatit Samadrexhë, me nderime shtetërore, do të bëhet varrimi i policit të rënë në detyrë, bashkëvendësi ynë, Heroi, Afrim Bunjaku”, thuhet në njoftimin e faqës të publikuar mbrëmë./21Media

Back to top button