Kuvendi mban tri seanca plenare gjatë kësaj jave

Kuvendi i Kosovës do të mbajë tri seanca plenare gjatë kësaj jave. Deputetët të mërkurën do të shqyrtojnë pikat e mbetura nga seancat e kaluara, të enjten do të mbahet seanca e re plenare, ndërkaq të premten pritet të mbahet seancë e veçantë plenare me vetëm pyetje parlamentare.
Nga partia në pushtet, theksuan nevojën e miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, derisa opozitarë thanë se do të kërkojnë përmes miratimit të një rezolute sigurimin shëndetësor për policët, pagesën e rrezikshmërisë, ligjin për pensionim të parakohshëm të policët dhe rritjen e koeficientit për paga te shërbyesit publik.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, kritikoi opozitarët, siç tha ai, për mosvotimin pa një arsye të qartë të marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Kemi tri marrëveshje ndërkombëtare të rëndësishme. Njëra ndër nga ato është linja hekurudhore 10, pra hekurudha midis Fushë Kosovës dhe Mitrovicës. E dyta është ngrohja solare e Prishtinës dhe e treta që është e rëndësishëm, rrjeti energjetik apo financimi i qeverisë gjermane për KOSTT. Këtu nuk kemi asgjë politike në kushte normale nuk duhet të kishte mospajtim mirëpo për këtë kërkohet edhe vota e opozitës. Kemi vërejtur një tendencë që nga marsi i këtij viti partitë opozitare nuk i votojnë pa dhënë ndonjë arsyetim të qartë se pse po ndodh”, tha ai.
Megjithatë, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, nënvizoi sërish se nuk do të votojnë asnjë marrëveshje ndërkombëtare dhe se vendit i duhet një qeveri e re.
“Republika e Kosovës vazhdon të jetë nën sanksione. Këta po kërkojnë votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat nuk kanë mundësi të realizohen në situatën aktuale që jemi. Kryeministri Kurti nuk është njeriu që mund ta nxjerr Kosovën nga sanksionet. Ai e ka vendosur në sanksione dhe vendit i duhet një qeveri e re”, theksoi Tahiri.