Haradinaj kërkon hetim ndërkombëtar për sulmet në veri

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kërkuar hetim ndërkombëtar për sulmet e grupeve serbe në veri, me qëllim të ndriçimit të skenarëve për destabilizim.
Ai ka shkruar në Facebook të hënën se para drejtësisë duhet të nxirren të gjithë të përfshirët në këto sulme terroriste, duke shtuar se faktet që po publikojnë “dëshmojnë implikimin e thellë të Serbisë”.
Haradinaj ka theksuar se Serbia nuk mund t’i ikën përgjegjësisë së këtij sulmi. Ai ka thënë se paqja në Kosovë dhe në Ballkan është vendosur me shumë tragjedi e dhimbje, e sipas tij, “nuk do të lejojmë askënd ta rrezikojë atë”.
“Si Kosovë qëndrojmë fuqishëm në mbështetje të të drejtave politike të të gjitha komuniteteve, edhe të komunitetit serb, kjo në bazë të Kushtetutës, ligjeve të Kosovës dhe në bazë të planit franko-gjerman të përkrahur nga Amerika. Faktet që po zbardhen përditë dëshmojnë për implikimin e thellë të Serbisë në organizimin e akteve terroriste në veri dhe shteti i Serbisë nuk mund t’i ikë përgjegjësisë. Prandaj kërkohet një hetim ndërkombëtar për të zbardhur skenarët e destabilizimit, jo vetëm të Kosovës por edhe të Ballkanit dhe për të nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në këto sulme terroriste”, ka thënë ish-kryeministri Haradinaj, njëherit deputet i AAK-së.