Dialogu me Serbinë në pikëpyetje!

Sulmet terroriste të 24 shtatorit në Banjskë kanë ndikuar drejtpërdrejt në vazhdimin e procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Qeveria e Kosovës thotë se sot ka prioritete të tjera urgjente dhe i ka kërkuar faktorit ndërkombëtar që ta sanksionojë Serbinë për cenim të integritetit territorial të Kosovës. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për RTV21 tha se sulmi në Banjskë është cenim i sovranitetit dhe sigurisë kombëtare.

“Tani kemi një situatë krejt të re me prioritete tjetra urgjente e që kanë të bëjnë me adresimin e pasojave të sulmit terrorist të sponsorizuar nga Serbia. Ajo çka është e domosdoshme të ndodhë aktualisht është garantohet siguri për Kosovën dhe vendosen sanksione për Serbinë. Gjatë gjithë kohës Republika e Kosovës ka qenë palë e gatshme për dialog dhe marrëveshje. Por një proces i mirëfilltë i dialogut kërkon minimumin e standardit të mirëbesimit të ndërsjellë mes palëve. Sulmi terrorist, paramilitar dhe kriminal i datës së 24 shtatorit, ka vërtetuar se teksa në Bruksel zhvilloheshin takime për zbatim të Marrëveshjes Bazë që në qendër ka njohjen de-facto reciproke, Serbia po përgatiste plane për aneksimit të veriut”, tha ai.

Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu, kërkon nga BE-ja që ta mbajë përgjegjëse Serbinë për sulmet terroriste në veri të vendit. Sipas saj, është e domosdoshme që në procesin e dialogut me Serbinë të ketë përfshirje më të madhe të SHBA-së.

“Është e domosdoshme që BE-ja të kërkojë llogari ndaj Serbisë për sulmin terrorist në veri të vendit. BE-ja së pari duhet të garantoj dhe të ruaj unitetin për siguri në rajon dhe më gjerë. Gjithmonë kemi kërkuar prezenca e SHBA-së në proces të dialogut të jetë më prezente. Kjo Qeveria e ka parë më të arsyeshme që ky proces të vazhdojë me Borrellin dhe Lajçakun”, tha ajo.

Nuk ka kuptim vazhdimi i dialogut me Serbinë pas sulmeve terroriste në veri të vendit vlerëson anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane nga Vetëvendosje, Agon Batusha. Sipas tij, BE-ja nuk duhet të vonohet në vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë.

“Ne e kuptojmë seka procedura për vendosjen e sanksioneve. Nuk e kuptoj pse po kërkohen dëshmi të tjera. Grupi terrorist serb përdori armatimin që është prodhuar në Serbi. BE-ja nuk duhet ta humbas kredibilitetin. Nuk ka barazi në dialog prandaj ky proces nuk ka kuptim”, tha Batusha për RTV21.

Presidentja, Vjosa Osmani, ka qenë e prerë kur është pyetur nëse do të zhvillojë takim me presidentin serb Vuçiq në samitin e Granadës. E para e shtetit kërkon së pari sanksione ndaj Serbisë.

Analistja politike, Arta Tahiri, e quan të drejtë kushtëzimin e vazhdimin e dialogut me vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë nga BE-ja. Sipas saj, sulmet terroriste në veri të vendit treguan fytyrën e vërtetë të Serbisë ndaj Kosovës.

“E drejtë deklarata e presidentes Osmani se së pari duhet të sanksionohet Serbia pastaj të ketë takime. Fytyra e vërtetë e Serbisë nuk është për të dialoguar, por për të krijuar situata të kaosit dhe të pasigurisë shtetërore”, tha ajo.

Ndërkohë, BE-ja ende nuk ka vendosur nëse do të ketë sanksione ndaj Serbisë pas sulmeve terroriste në veri të vendit. Ajo tha po pret rezultatin e hetimeve dhe njëkjohësisht ka kërkuar Kosova dhe Serbia rikthimin në tryezën e bisedimeve./21Media

Back to top button