Evakuohen nga Izraeli, mbërrijnë në Rinas 40 shtetas nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut

(Lajm i përditësuar)
Raketat godasin një shkollë në Gaza ku ishin strehuar mbi 225 persona
Një shkollë në Rripin e Gazës ku 225 njerëz ishin strehuar nga sulmet, është goditur drejtpërdrejt, tha në një deklaratë të dielën agjencia e refugjatëve palestineze e OKB-së.
Askush nuk u lëndua, por ndërtesa u dëmtua ndjeshëm, tha Agjencia e OKB-së për Ndihmë dhe Punë (UNRWA).
Evakuohen nga Izraeli, mbërrijnë në Rinas 40 shtetas nga Kosova, Shqipëria dhe rajoni
Sot (e diel) në mbrëmje ka mbërritur avioni i parë me qytetarë shqiptarë të cilët kanë kërkuar të largohen nga Izraeli pas shpalljes së gjendjes së luftës.
Ministria për Evropën e Punëve të Jashtme të Shqipërisë njofton se avioni “Air Albania” me 40 pasagjerë, mes të cilëve edhe shtetas nga vendet e rajonit si Kosovë, Maqedonia e Veriut, të ndihmuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe Ambasada Shqiptare në Izrael është ulur në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” pak më parë. Pasagjeratë janë pritur dhe përshëndetur nga Ministri Igli Hasani.
“Në ditët në vijim do të ketë sërish të tjera fluturime të posaçme drejt Tel Aviv, ndërkohë që MEPJ është në koordinim edhe ministritë simotra të vendeve të rajonit për tu ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që kërkojnë të kthehen në vendet e tyre”, thuhet në komunikatë.
Mbi 1.000 të vrarë nga përleshjet mes Izraelit dhe Hamasit
Mbi 1.000 persona janë vrarë në Izrael dhe Rripin e Gazës, pasi militantët palestinezë të Hamasit, kryen një sulm të befasishëm ndaj Izraelit më 7 tetor, që nxiti kundërpërgjigje nga forcat izraelite.
Autoritetet në Izrael kanë thënë se të paktën 600 persona janë vrarë gjatë dhunës, ndërkaq numri i viktimave në Rripin e Gazës ka arritur në 413.
Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, në mesin e viktimave janë 78 fëmijë dhe 2.300 persona janë plagosur.
Këto shifra vijnë teksa për të dytën ditë me radhë, forcat izraelite dhe militantët e Hamasit kanë vazhduar përleshjet në jug të Izraelit.
Më herët gjatë ditës, kabineti i sigurisë së Izraelit shpalli gjendje lufte. Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ky vendim u mor për shkak se shteti u përball “me sulme terroriste nga Gaza”.
“Lufta iu imponua shtetit të Izraelit nga sulmet vrastare terroriste që nisën nga Rripi i Gazës në orën 06:00 të ditës së djeshme”, u tha në njoftim.
Aty nuk u dhanë më shumë detaje, por Netanyahu më herët kishte deklaruar se shteti i tij është në luftë dhe ushtria premtoi se do të kundërpërgjigjej ashpër në Gaza.
Mbërrin në Shqipëri një avion me shqiptarë nga Izraeli
Një operacion për marrjen e shqiptarëve në Izrael është realizuar me sukses nga autoritetet shqiptare. Një avioni i Air Albania kishte mbërritur në Tel Aviv për të marrë nga Izraeli shqiptarët.
Fluturimi nisi në orën 17:00 nga aeroporti i Tel Avivit dhe avioni u ul në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë rreth orës 18:36.
Nuk dihet sa persona ndodheshin në bordin e avionit.
20 qytetarë maqedonas po kthehen nga Izraeli, atje ndodhen rreth 200 qytetarë
Gjatë ditës së sotme në Maqedoninë e Veriut, përmes Shtabit të krizës në Ministrinë e Punëve të Jashtme janë sjellë disa konkluzione dhe janë ndërmarrë disa veprime.
“Pas sulmeve brutale të djeshme të Hamasit në territorin e Izraelit, situata e sigurisë në vend, veçanërisht në pjesët afër Rripit të Gazës dhe zonat kufitare me Libanin, është përkeqësuar rëndë dhe shumë qytetarë tanë janë paraqitur në telefonat e Ambasadës dhe në telefonat SOS dhe kanë kërkuar ndihmë për evakuimin e tyre. Ministri Osmani në komunikim të drejtpërdrejtë me homologun e tij izraelit Eli Koen, shprehu dënimin e plotë të sulmeve të Hamasit, si dhe mbështetjen për Izraelin.
Nga qytetarët e paraqitur, nëntë turistë që vijnë nga Velesi, në komunikim me kolegët tanë nga Shqipëria janë pranuar në fluturimin special të Qeverisë së Shqipërisë për evakuim nga Tel Avivi, së shpejti presim të aterojnë në Tiranë, ku pëfaqësues të Ambasadës sonë do t’i transferojnë në shtëpi me transport të organizuar. Me këtë rast, shprehim mirënjohjen tonë për kolegët tanë nga Shqipëria, për reagimin dhe pranimin e shpejtë të qytetarëve tanë.
Më herët, shtatë qytetarë tanë, turistë që u gjetën në Betlehem, kaluan me sukses kufirin me Jordaninë, ku u pritën nga Konsulli ynë i nderit; ata tani janë të sigurt dhe së shpejti pritet të shkojnë në shtëpi në ditët në vijim. Mëngjesin e sotëm, një familje katër anëtarëshe u nisën për në Stamboll me një fluturim komercial, nga ku do të vazhdojnë edhe udhëtimin drejt shtëpisë.
Ambasada në Tel Aviv mbetet në kontakt me gjithë qytetarët tanë të tjerë që janë lajmëruar dhe kanë kërkuar ndihmë për largimin e tyre nga Izraeli. Midis tyre janë edhe 11 punëtorë ndërtimi që u gjetën në Ramallah (Bregun Perendimor)”, theksojnë nga MPJ.
Ministria e Punëve të Jashtme, përmes Shtabit të Krizës dhe rrjetit diplomatiko-konsullor, ka vendosur komunikim dhe koordinim të drejtpërdrejtë me vendet e Lindjes së Mesme dhe rajonit të Evropës Juglindore, me qëllim shfrytëzimin e të gjitha fluturimeve në dispozicion dhe kthimin e qytetarëve tanë, ku edhe i është dërguar instruksion urgjent rrjetit diplomatiko-konsullor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në të dy rajonet.
Sipas vlerësimeve të shtabit të krizës, në territorin e Izraelit dhe në zonat e rrezikuara llogaritet se janë nga 100 deri në 200 qytetarë të cilët presim të lajmërohen ose të paraqiten nga të afërmit e tyre në qendrat tona të kontaktit.
Për më shumë informacione, linjat telefonike SOS të Ministrisë së Punëve të Jashtme janë në dispozicion: 075/273-732 dhe 075/268-736, si dhe linja telefonike e Ambasadës në Tel Aviv +972-54-926-7378.
Informacione më të hollësishme rreth situatës aktuale mund të gjenden në faqen në vijim: https://www.oref.org.il/12481-en/Pakar.aspx
Edhe një herë u bëjmë thirrje qytetarëve tanë që aktualisht ndodhen në Izrael të respektojnë udhëzimet e organeve të sigurisë së Izraelit, si dhe të paraqiten në ambasadën në Tel Aviv ose në telefonat e shërbimit në Shkup.
Shtëpia e Bardhë premton mbështetje shtesë për Izraelin
Sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë, presidenti amerikan Joe Biden ka “drejtuar mbështetje shtesë” për Izraelin.
Deklarata thotë se Biden dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris u informuan nga ekipi i tyre i sigurisë kombëtare më herët të dielën për përleshjet e vazhdueshme në Izrael.
“Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë do të mbeten në kontakt të ngushtë me partnerët tanë izraelitë”, shton deklarata. “Ekipet e sigurisë kombëtare janë të angazhuara me izraelitët dhe homologët e tyre në të gjithë rajonin”.
Më parë, Sekretari i Shtetit i SHBA, Anthony Blinken bëri xhiron e emisioneve për të informuar shikuesit amerikanë mbi luftimet dhe përgjigjen diplomatike të SHBA.
Sulmet e Hamas, evakuohen me avion dhjetra shqiptarë nga Tel Aviv
Një avion me shqiptarë është nisur nga Tel Avivi drejt Tiranës, ndërsa situata në Izrael vijon të jetë kritike për shkak të sulmeve nga terroristët e Hamas.
Mësohet se Shqipëria ka dërguar një prej avionëve të “Air Albania”, avionin “Fishta”, për të evakuar disa shtetas shqiptarë.
Avioni ka mbërritur Izrael rreth orës 18:10 dhe është nisur tashmë drejt Tiranë, ku pritet të mbërrijë në aeroportin e Rinasit.
Për momentin nuk dihet se sa është numri i shqiptarëve që janë evakuar.
Edhe Tel Avivi ka qenë gjatë orëve të fundit nën sulme të shpeshta të raketave të lëshuara nga Hamas, ndërsa numri i viktimave që nga nisja e sulmit raportohet se i ka kaluar 600 izraelitë.
Megjithë rrezikun e lartë, aeroportet në Izrael, ndër to edhe ai në Te Aviv kanë vijuar të funksionojnë përgjatë gjithë ditës.
Blinken: Ka raporte për disa amerikanë të vrarë në Izrael
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka marrë raporte për disa amerikanë të vrarë nga sulmet në Izrael.
“Jemi duke punuar jashtë orarit për t’i verifikuar ato”, tha Blinken për rrjetin televiziv CNN.
“Në të njëjtën kohë, ka raporte për amerikanë të zhdukur. Po punojmë për t’i verifikuar edhe ato”, deklaroi ai.
Izraeli shpall gjendje lufte
Kabineti i sigurisë së Izraelit ka shpallur gjendje lufte pas sulmeve të grupit militant palestinez të Hamasit, që kanë lënë të vrarë mbi 600 persona në Izrael.
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ky vendim u mor për shkak se shte i u përball “me sulme terroriste nga Gaza”.
“Lufta iu imponua shtetit të Izraelit nga sulmet vrastare terroriste që nisën nga Rripi i Gazës në orën 06:00 të ditës së djeshme”, u tha në njoftim.
Aty nuk u dhanë më shumë detaje, por Netanyahu më herët kishte deklaruar se shteti i tij është në luftë dhe ushtria premtoi se do të kundërpërgjigjej ashpër në Gaza.
Për të dytën ditë me radhë forcat izraelite po përleshen me militantët e Hamasit në pjesën jugore të shtetit.
Ndërkaq, zyrtarët shëndetësorë palestinezë njoftuan të dielën se numri i viktimave u rrit në 370 dhe mbi 2.000 janë plagosur.
Ushtria izraelite tha më 8 tetor se synon të evakuojë të gjithë izraelitët që jetojnë afër Rripit të Gazës brenda 24 orëve, përderisa ka dislokuar mijëra luftëtarë për t’u përballur me militantët e Hamasit, që janë infiltruar brenda Izraelit.
“Misioni ynë është që në 24 orët e ardhshme të evakuojmë të gjithë banorët që jetojnë rreth Gazës”, tha zëdhënësi i ushtrisë, Daniel Hagari, duke shtuar se luftimet po vazhdojnë për të “shpëtuar pengjet” që po mbahen nga militantët.
“Ka dhjetëra mijëra ushtarë në zonë. Ne do të arrijmë te secili komunitet derisa të vrasim të gjithë terroristët në Izrael”, tha ai për gazetarët.
Grupi palestinez Hamas nisi një sulm të befasishëm ndaj Izraelit më 7 tetor, gjatë të cilit u vranë afër 500 persona.
Kjo ishte dita më vdekjeprurëse e dhunës në Izrael në 50 vjet.
Konflikti u përhap, pasi pati sulm nga Libani në veri të Izraelit, përgjegjësinë për të cilin e mori grupi Hezbollah, duke thënë se sulmi u krye “në solidaritet” me popullin palestinez.