Kurti pjesë e Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka konfirmuar për portalin rtv21.tv se kryeministri Albin Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në Tiranë më 16 tetor.
Në këtë samit do të ketë takim të dy kryeministrave shqiptarë, Albin Kurti e Edi Rama, pas “përplasjeve” muajve të fundit.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pati anuluar mbledhjen e paraparë mes dy qeverive në korrik, pas tensioneve në veri të Kosovës. Pas kësaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati refuzuar takim me Ramën, jashtë mbledhjes së qeverive.
Samiti i liderëve të Procesit të Berlinit, për herë të parë do të mbahet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian. Në samit do të marrin pjesë edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.
Procesi i Berlinit është iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të BP në Bashkimin Evropian. Ai filloi dhe u prezantua në gusht të 2014-s nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel.